Në dhjetor 2018, qeveria Rama propozoi disa ndryshime ligjore në ligjin “Për komunikimet elektronike”, lidhur me kontrollin e mediave online. Ndryshimet e propozuar parashikojnë regjistrimin e mediave online dhe gjobitjen deri në mbylljen e tyre për botimin e lajmeve të paanshme që cënojnë moralin publik dhe nxisin vepra penale. Kontrolli i lajmeve të botuara prej tyre do të kryhet nga Këshilli i Etikës. Në rast mosrespektimi të ligjit, gjoba mund të shkojë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë, apo edhe deri në mbyllje të faqeve online. Asnjë vendim i marrë nga Këshilli i Etikës mbi mediat online nuk do të mund të apelohet në gjykatë.
Nismat ligjore të qeverisë janë kundërshtuar nga gazetarët, nga organizatat e gazetarëve në vend, si dhe nga organizatat e huaja si OSBE dhe Reporterët Pa Kufij. Qeveria ka organizuar deri më tani katër dëgjesa publike për ligjin e medias, por asnjëra prej tyre nuk është transmetuar në media.
Me qëllim dëgjimin e grupeve të interesit, Fondacioni Konrad Adenauer organizoi ditën e premte një tryezë diskutimi me gazetarë dhe me përfaqësues të organizatave të gazetarëve në vend.
Drejtuesi i Konrad Adenauer, Walter Glos u shpreh se “ndërhyrja në lirinë e medias ndikon në marrjen e një vendimi pozitiv në qershor 2019”. Ky ligj u kundërshtua edhe nga të gjithë gazetarët e pranishëm. Më poshtë po paraqesim pjesë nga fjala e disa prej gazetarëve:
Armand Shkullaku — Drejtues i potalit Lapsi.al
“Na kërcënon çdo ditë me bukën e gojës. Problemi është se ka shumë kaos dhe ka shumë amulli, shumë portale të paregjistruara dhe ka hapësirë për shpifje. Unë jam më mirë që ky problem të ekzistojë edhe nëse ka kaos, më mirë kaos, rrëmujë paligjshmëri se sa të kemi një ligj dhe një regjim që të na mbylli gojën të gjithëve. Ne duhet të diskutojmë dhe të shohim çfarë duhet të bëjmë që ky njeri të ndalet. Të dalim edhe ne si studentët. Sepse ky njeri tërhiqet vetëm nga gjuha e forcës. Shumë prej nesh këtu nuk do t’i kenë më mediat dhe gazetat online.”
Ylli Rakipi — Drejtues i Emisionit “Të Paekspozuarit”
“Është një njeri [Rama] që është ngritur për disa kohë. Është shqetësuar shumë. Ka rënë në ankth dhe i duhet një ligj për mediat. Një ligj që shkel të gjitha normat dhe është antikushtetues.
Dhe kemi pasur dhe debate të natyrës se ky ndoshta kërkon të tërheq vemendjen. Ka nja 6 vjet që nuk qeveris vendin dhe kërkon të rregullojë një pushtet, në të cilin ai ka punuar vetë vite më parë.
Është ankthi i këtij njeriu [Ramës] për të mos dëgjuar çfarë media do të thotë për të. Nuk është e mundur. Thelbi i këtij ligji është që ky po bën një rojtar për të ruajtur moralin publik. Ekzibicionisti më i madh, që na ka treguar organet gjenitale. Ky del dhe do rojtar publik të moralit dhe këtë moral do ta përcaktojë ky. Ky do ngrejë një këshill etike dhe do na çojë tek gjyqet publike. E kuptoni çfarë është duke bërë një njeri që nuk vetekontrollohet.
Ne kemi parë një nga njerëzit më të fortë, Sali Berishën që u përpoq ta vinte në kontroll, por ai nuk e bëri kurrë që kodin e etikës ta kthente në ligj. Mori dy ligje të Gjermanisë për të na penalizuar. E bëri këtë përpjekje për të bërë një ligj, jo për të marrë kodin e etikës dhe për ta bërë ligj. Dhe nesër pas tre penalltish na nxjerr në rrugë. Thotë që fëmijët tuaj nuk do jetojnë, por do jetoj vetëm unë me Delawerin [kompaninë guackë që fitoi me dokumente të falsifikuara tenderin 18 milionë eurosh të Unazës së Madhe]. Edhe Erdogani nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Ne kemi patur një kod etike shumë të mirë. Socialistët e frustruar e hoqën ligjin e Sali Berishës si atentat ndaj medias të lirë.”
Ergys Mërtiri — Sociolog
“Në kushtet ku jemi, janë pazaret e kryeministrit në media që cënojnë lirinë e fjalës. Nëqoftëse paratë e pushtetit dominojnë median, atëherë ato ta shvleftësojnë fjalën edhe kur të jepet mundësia për ta thënë. Faktori ndërkombëtar ka qënë shumë hezitues, jo aktiv dhe ka toleruar që demokracia në këtë vend të vihet në dyshim.”
Iris Luarasi — Pedagoge pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit
“Gjobat e propozuar për gazetarët janë jonormale për tregun shqiptarë dhe joprofesionale, ato sjellin ose daljen nga profesioni ose mbylljen e një media. Unë mendoj se legjislacioni shqiptar i ka elementet nga ku mund të mbrohet gazetari, politikani kur përflitet në mënyrë të padrejtë. Ky projektligj nuk duhet lejuar të miratohet.”
Jonila Godole — Pedagoge pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit
“Ky ligj që mendohet të kalohet në parlament në këtë formë është i patolerueshëm dhe i paduhuri për momentin. Unë mendoj se informaliteti dhe mungesa e transparencës është kyçi nga ku burojnë problemet e tjera. Ky ligj nuk do të rregullojë asgjë, por vetëm do të ngrejë zyra të censurës së mendimit apo të fjalës së lirë.”
Aleksandër Cipa — Kryetar i Unionit të Gazetarëve
“Në qendrimin tonë publik ndajmë mendimin për mos pranimin e projektligjeve. Mosekzistencën dhe pamundësinë e institucioneve vetërregulluese dhe këtë po e merr përsipër me një protagonizëm AKEP-i, ent i pavarur i mediave audiovizive. AMA-së nuk i lejohet të kontrollojë median online.”
Fatos Hakorja — Kryredaktor i TV Klan
“Ky ligj duhet rrëzuar dhe nuk e rregullon tregun e medias online. Ligji nuk i shërben zgjidhjes së problemeve kryesore të medias online. Mbyllja e një portali është njësoj sikur të mbyllet një television, edhe në rast se nuk e kemi për mediat e tjetra pse duhet ta kemi për portalet.”
Aranita Brahaj — Drejtuese e Institutit Shqiptarë të Shkencave (Open Data Albania)
“Jemi kundër ligjit për median. Jemi kundër këtij rregjistrit të posaçëm pranë AKEP vetëm për mediat online.”