Besim, nuk ka më! — Si u zëvendësua “Parku i Besimit” me projektin delirant të Piramidës

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Besim, nuk ka më! — Si u zëvendësua “Parku i Besimit” me projektin delirant të Piramidës

Në vitin 2015, studioja qeveritare Atelier Albania zhvilloi një konkurs për të ashtuquajturin Parku i Besimit, ide personale e Kryeministrit Rama, i cili, zonën rreth Piramidës, e imagjinonte kështu:

“…M’u duk dita e përshtatshme sot t’ju përcjellë idenë e ndërtimit në Tiranë, së shpejti, të “Parkut të Besimit”. Një hapësirë publike, e gjelbër, e mbjellë me të gjitha lulet, bimët, dhe pemët që përmenden në Kuran dhe në Bibël (dhe libra të tjerë të shenjtë). Në këtë park, kushtuar bashkëjetesës, kushtuar fëmijëve, prindërve, gjysheve dhe gjyshërve të kryeqytetit, apo të qyteteve të tjera shqiptare dhe po ashtu, vizitorëve të huaj, ata do të mund të gjejnë jo vetëm të gjithë krijesat e gjelbra të librave të shenjtë, por edhe imazhe, objekte, tinguj që i bëjnë jehonë kësaj historie dhe kësaj pasurie të paçmuar shqiptare. Me përunjësi, çdo shqiptar, nga qeveria tek çdo autoritetet shqiptar, duhet t’i jetë mirënjohës komuniteteve fetare të këtë vend…” 

“…Konkursi i Parkut të Besimit që ka në qendër Piramidën dhe të gjitha hapësirat e gjelbërta ku synojmë të krijojmë një imazh të prekshëm të harmonisë fetare të vendit tone, përfshi ata që nuk besojnë. Ky Park do të sjellë të gjitha lulye, bimët dhe pemët që janë të përmendura në librat e shenjtë të besimeve…”

Konkursi u fitua nga studioja italiane UNLAB, e cila, më pas, së bashku me arkitektin dhe aspirantin për politikan Stefano Boeri u bënë truri pas Planit të Përgjithshëm të Tiranës, i cili kishte në qendër të tij Parkun e Besimit.

Ideja themelore ishte rikonceptimi i hapësirës publike të Tiranës në formën e një rrjete me pemë që do të kishte në qendër Piramidën. Mjafton të thuhet se, pavarësisht gjithë parave të harxhuara në gjithëfarëlloj imagjinatash arkitekturore, asgjë nuk u realizua.

Por, së bashku me personin që e frymëzoi—Anxhela Merkel—Parku i Besimit u zhduk nga diskutimi publik, sikur të ishte thjesht një tjetër ide nga idetë e shumta mëndjelehta dhe pa lidhje të Edi Ramës.

Në vend të saj, ne jemi bombarduar me një “pyll orbital” imagjinar, një shesh në qendër të qytetit, ku në verë mund të skuqësh vezë mbi pllaka, dhe një grumbullim kullash të larta të cilat do të mbeten bosh për shumë dekada.

Në asnjë çast, Edi Rama apo ndonjë nga subjektet e varura prej tij, nuk ka pranuar se të gjithë premisat konceptuale mbi të cilat u ndërtua Masterplani i Tiranës ishin të gabuara, dhe se nuk do të ketë kurrë Park të Besimit kushtuar “bashkëjetesës fetare”. Në fakt, e gjithë ideja e bashkëjetesës doli të ishte një gënjeshtër e madhe, ndërsa sistemi politik i vendit është rrënuar nga polarizimi dhe emigracioni masiv e largimi i trurit po vazhdojnë pa u zbutur.

Në vend të idesë së Parkut të Besimit, Ramës i erdhi ideja e shkëlqyer se një tjetër projekt prestigjioz arkitekturor mund ta nxirrte të nderuar.

Dhe ky është çasti kur në lojë hyri protagonisti naiv i historisë sonë, arkitekti holandez Winny Maas.

Kam shkruar më herët si dy projektet e mëparshme të Maasit, Tirana Rocks dhe Toptani Center, iu hoqën atij nga duart dhe, nën logjikën e shtetit-ndërtues, vizioni i tij u transformua, u ndërpre e, në rastin e Qendrës Toptani, u kthye në një gjë të lirë.

Por, si çdo mendimtar magjik, ai ende beson se “vizioni” i tij i tanishëm i Tiranës, në një farë mënyre, do të realizohet ashtu siç e imagjinon ai, pavarësisht përvojës së tij që dëshmon të kundërtën. Ndoshta, ai ndjehet i sigurt se, duke projektuar një kullë kitsch për një nga oligarkët më të pasur të vendit, ka garantuar, gjithashtu, këtë projekt më “krijues” dhe më “personal”.

Pak ditë më parë, në çastet kur opozita kishte bllokuar disa nga rrugët kryesore të vendit, Winy Maas paraqiti publikisht projektin e tij të ri për Piramidën, kthimin e saj në një qendër të hapur për bashkëpunim dhe novacion dixhital.

Diskutimi i tij ishte, natyrisht, shumë i ngjashëm me atë të Edi Ramës në përurimin e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), e cila, pavarësisht nga arkitektura dhe pajisjet e fjalës sē fundit e teknologjisë, shërben për ekspozimin e një spektri mahnitës mediokriteti.

Ishte ironikisht domethënëse që edhe Maas e mbajti prezantimin e tij në këtë ndërtesë, dera dhe streha e të cilës, kjo e fundit e projektuar nga Parreno, ishin të blinduara me pllaka metalike për të penguar protestuesit e opozitës të hyjnë në ndërtesë për ta përdorur këtë qendër dialogu për një “dialog” të vërtetë me pushtetin.

Prezantimi u transmetua ekskluzivisht në televizionin personal online të Edi Ramës, ERTV, financimi i të cilit vazhdon të mos jetë transparent dhe me shumë gjasa në shkelje të ligjit të medias dhe kodit zgjedhor. Winny Maas, sigurisht, nuk u shqetësua  apo thjesht nuk i interesoi fare kjo gjë. E çfarë të keqe ka të prezantosh rindërtimin e monumentit kushtuar diktatorit të djeshëm në kanalin televiziv të autokratit të sotëm!

Prezantimit kishte shumë anë për të cilat mund të komentohet. Kështu, për shembull, mund të komentohet për mënyrën si logjika e “kioskizimit” e Kryebashkiakut Veliaj do të metastazohet në majë të Piramidës dhe përreth saj, me anë të “struktura të lehta”, “pavioneve” që janë “të luajtshme”, të cilat nuk janë “përcaktuar” ende si do jenë. Ato mund të jenë hapësira për “seminare” për të rinjtë e Tiranës, shumë të ngjashme me atë afër Liqenit Artificial që tani është braktisur.

Mund të flasim, gjithashtu, për theksin e vazhdueshëm tek “transparenca” e pretenduar e ndërtesës, një zgjedhje projektuese shumë e ngjashme me atë të Bjarke Ingels për Teatrin Kombëtar, i cili gjithashtu donte të “ekspozonte” punën e brendëshme të Teatrit tek qytetarët jashtë tij.

Logjika e Piramidës së Maasit është e njejtë: ta hapë atë, ta bëj transparente—vazhdi i të njëjtit diskurs propagandistik që filloi me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) e vazhdoi me Teatrin Kombëtar.

Siç e kam vënë në dukje më parë, theksimi i vazhdueshëm i transparencës së objektit arkitekturor, në të vërtetë, fsheh mungesën e plotë të transparencës në gjithë procedurën e prokurimit së projektit, procedurë që përfshin edhe “klientin” zyrtar të Maasit, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe kompanitë e ndërtimit që do të zbatojnë këtë projekt prestigjioz.

Në fakt, estetika e transparencës së Edi Ramës është sajuar, pikërisht, për të fshehur korrupsionin masiv dhe pastrimin e parave që regjimi i tij po lehtëson.

Në fakt, si firma MVRDV e Maasit edhe Fondacioni AADF refuzuan t’i përgjigjen pyetjeve të bëra nga Exit.al, lidhur me specifikat e procedurës së prokurimit të këtij projekti, duke konfirmuar kështu se edhe rregulloret e brendshme etike të një institucioni publik amerikan, AADF-së, nuk i rezistojnë dot delireve për madhështi të Ramës.

Ndoshta do të gjej kohë të flas një herë tjetër për sallatën e fjalëve që hodhi drejt audiencës në COD kryetari i përjetshëm i Bordit të AADF-së, Michael Granoff, i cili duket se mendon se për të zbatuar një program arsimor në Shqipëri duhet pikësëpari të punësosh një arkitekt të famshëm dhe t’i bësh një makiazh miliona eurosh një ndërtese komuniste.

Ndoshta, ai mund t’i kishte shpenzuar fondet për mësues dhe klasa të vërteta më mirë se për një derë gjigande me panele të trefishta xhami. Por mënyrat e veprimit të fondeve private të investimeve, si ai që drejton Granoff, janë shpesh po kaq të pakuptimta dhe shkatërruese. I duhet lënë, pikërisht, këtij amerikani të flasë për “ndryshim revolucionar” teksa qendron para një monumenti të një diktatori komunist!

Kjo më sjell tek pika fundit dhe ndoshta më e rëndësishmja. Në prezantimin e tij, Maas shpjegoi fazat e ndryshme të projektit. Ja si e shpjegoi ai fazën e dytë:

“Pastaj, faza tjetër është shumë e rëndësishme: ne duam të ndërtojmë në majë të saj. Ne kemi gurët prej mermeri dhe pastaj do të marrim beton—beton shumë të mirë, jo të rrëshqitshëm—në çdo traversë për të bërë shkallë”.

Ky është ndoshta aspekti më domethënës dhe kryesor i të gjithë projektit: mbulimi i mermerit—pjesa më e madhe e të cilit u hoq nga qeveria Berisha—për ta mbuluar me beton, materiali, ndoshta, më i lidhur me karrierën politike të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, kompanitë klienteliste ndërtuese të të cilëve e kanë mbytur Tiranën me beton.

Është argëtuese që Maas sqaron se betoni do të jetë “shumë i mirë, dhe jo rrëshqitës”, sikur të ishte i vetëdijshëm për mëkatin që po bën duke e veshur në beton një ndërtesë mermeri. Ky veprim është pa ekzagjerim varrosje e të shkuarës, duke e mbuluar atë me një gri të përjetshme.

Ndoshta mund ta çojmë një hap më tutje këtë intepretim. Rinovimi i Piramidës i propozuar nga Maas është metafora perfekte e politikës së Ramës: një politikë e cila është aq transparente sa është betoni, i cili varros të shkuarën—përfshi të shkuarën e tij si djalë Blloku—duke shtruar në mënyrë skizofrenike fasadë mbi fasadë.

Nëse do ishte në dorë të tij, Rama do ta mbulonte me beton çdo ndërtesë në Tiranë, vetëm për të harruar të shkuarën e tij.

Me një buzëqeshje plot kënaqësi në fytyrë, Maas na kërkoi të imagjinojmë sikur i ngjitemi këtyre shkallëve “shumë të bukura, jo rrëshqitëse” dhe arrijmë në majë: “Ti je heroi i mjedisit, me yll, dhe ti vetë je ylli.”

A nuk po e ndjeni që tani?

 

Ky artikull është pronë intelektuale e Exit.al. Ndalohet kopjimi dhe ripublikimi i tij pa leje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>