Pas 1,2 tonë kokainë në Greqi qëndrojnë të paktën 2 grupe shqiptare

Nga Exit News
Pas 1,2 tonë kokainë në Greqi qëndrojnë të paktën 2 grupe shqiptare

Sasia prej rreth 1,2 ton kokainë që u kap në Greqi pak ditë më parë ishte porosi e të paktën 2 grupeve shqiptare.

Report TV, e cila ka mundur të shqyrtojë dosjen hetimore, thotë se grupet ishin përpjekur ta trafikonin ngarkesën që prej vitit 2018 dhe se bisedimet e para ishin zhvilluar në Barcelonë, atje ku porosinë e kishte miratuar një prej drejtuesve, një shqiptar me pseudonimin “Doktori”.

Alfred Arapi, i shpallur në kërkim, ra në gjurmët e autoriteteve greke pasi po interesohej për një jaht. Jahtin, të cilin ia siguroi Stavro Trantis, një i infiltruar i DEA-s, grupi kishte diskutuar se do ta përdornin për narkotrafik nga Amerika e Jugut. Për këtë qëllim, më 8 dhjetor 2018, për 4 ditë ai udhëtoi nga Athina drejt ishujve Las Palmas e më pas përtej oqeanit.

Në kthim, skafi qëndroi për rreth 5 ditë në portin e Tenerifes në Spanjë, ndërsa Arapi dhe i infiltruari i DEA-s takuan pjesën tjetër të grupit, Kristaq Ziun, Eduart Lamajn, Arben Bezinin dhe drejtuesin, “Doktorin”. Ky i fundit në paranojë të përgjimeve nga autoritetet ndërpreu në mes planin për marrjen e ngarkesës.

Pak muaj më vonë, me angazhim nga Tirana dhe sërish me takime në Barcelonë, grupi riorganizohet. Ata dakordësojnë me furnizuesit nga Amerika e Jugut që ngarkesa prej 1,2 tonësh të sillej deri në ishujt Karaibe. Që atje ata do ta merrnin jo më me jaht, por me një barkë. Por sërish plani u ndërpre. Grupi nuk kishte siguri nga një prej furnizuesve, i cili ishte serb.

Rreth 7 muaj më vonë, në dhjetor, i infiltruari i DEA-s, telefonohet nga Bazini, i cili i thotë se do të duhej ta merrnin ata drogën në Surinami, në verilindje të Amerikës së Jugut.

Pas disa ditësh ata janë kthyer në Greqi duke shkarkuar drogën në qytezën e Astakos, atje ku një grup tjetër do t’i priste për ta ruajtur.

Më 25 janar, policia greke në bashkëpunim me DEA-n ndërhyri duke kapur ngarkesën 1,2 ton kokainë dhe arrestoi 8 persona, 6 prej të cilëve shqiptarët: Sandër Pemaj, Arbër Përdedaj, Lek Doda, Maksim Preçi, Erjon Truci, Erlind Zotaj.

Të arrestuarit mendohet se janë pjesë e grupit që do ta ruanin ngarkesën. Ky grup lidhej me grupin tjetër shqiptarë përmes Arbër Përdedës dhe një holandezi me origjinë arabe të identifikuar si Soufiane Hadduoti.

Të dy janë në kërkim, së bashku me Kristaq Ziun (me identitet të dyshimtë edhe si Enkeled Zeqo), Alfred Arapin, Eduart Lamajn, Altin Vokrrin dhe Arben Bezinin.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet greke kapin sasi të mëdha kokaine. Në periudhën gusht-shtator 2019 autoritetet greke kapën 700 kilogramë kokainë të fshehur në 12 kontenierë bananesh që vinte nga Ekuadori. Nga kjo sasi, 4 kontenierë kishin si destinacion Durrësin dhe mbanin një sasi prej 137 kilogramë drogë.

Autoritetet greke, ato amerikane dhe shqiptare vendosën të lejonin lëvizjen nën mbikëqyrje të ngarkesës për në Durrës me qëllim kapjen e porositësve. Mirëpo i ashtuquajturi operacioni Quito u shoqërua me pikëpyetje dhe dyshime për dekonspirim. Ngjashëm me aksionin e vitit të 2018 në Maminas ku u kapën 613 kilogramë kokainë, policia nuk lidhi asnjë bandë apo grup kriminal me ngarkesën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>