Austria dhe Kroacia kanë konfirmuar sot rastet e para të infektuara me koronavirus.
Të gjithë rastet janë persona që në ditët e fundit kanë qenë në zonën veriore të Italisë.
Në Austri, janë dy persona të infektuar, të dy italianë që jetojnë në provincën e Tyrolit dhe sipas zyrtarëve që bënë publikë lajmin janë infektuar në rajonin e Lombardisë në Itali.
Dje pas rritjes së numrit të të infektuarve në veriun e Italisë, Austria vendosi të pezullojë trenat drejtë dhe nga Italia.
Edhe në Kroaci, kryeministri Andrej Plenkovic lajmëroi se është konfirmuar rasti i parë me koronavirus.
Ai është në moshë të re dhe ka simptoma të lehta.
Ministri i Shëndetësisë Vili Beros tha se i infektuari ka qëndruar në Milano nga datat 19 deri në 21 shkurt. Ai është vendosur tani në izolim dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë në Itali, numri i të infektuarve ka shkuar në 270 persona, ndërsa numri i personave që kanë humbur jetën është 7.
Në pothuaj gjithë zonat veriore të Italisë, është pezulluar mësimi në shkolla dhe universitete dhe dhjetra qytete janë vënë në karantinë.
Në Shqipëri vijnë pothuaj çdo ditë 14-17 avionë nga Italia. Shumë prej fluturimeve janë nga zona të prekura nga koronavirusi si Roma me 4-5 fluturime çdo ditë, Milano me 2-4 fluturime çdo ditë, Bolonia, Bergamo, Venecia, Verona.
Deri tani si masë parandaluese, shteti shqiptar ka dyfishuar numrin e mjekëve në aeroport e pika kufitare, të cilët duhet të masin temperaturën e pasagjerëve dhe të intervistojnë personat që vijnë nga shtetet me risk si Kina apo Italia.
Për tu informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni këtu 9 pyetjet më të zakonshme rreth këtij virusi ,ndërsa këtu mund të lexoni disa nga këshillat bazike që çdokush duhet t’i ketë parasysh.
Po ashtu, Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.