Qeveria shqiptare po merr masa për të ngritur kapacitetet për pritjen dhe strehimin në Shqipëri deri në 30 mijë refugjatë sirianë që mund të vijnë nga Greqia.
Pas raportimit në disa media të tjera, burime për Exit News pohuan se qeveria ka hartuar një plan për pritjen e refugjatëve, i cili parashikon ngritjen e një sërë qendrave të pritjes dhe kampeve për strehimin e tyre.
Sidoqoftë burimi u shpreh se nuk bëhet fjalë për pranimin nga Shqipëria të refugjatëve por për një plan për përballimin e një situate emergjence të mbërritjes së paorganizuar të refugjatëve në territorin shqiptar.
Ky skenar mund të bëhet realitet për shkak të krizës së refugjatëve në kufirin greko-turk, si pasojë e vendimit të Presidentit turk Erdogan për “të hapur dyert” dhe lejuar daljen nga Turqia drejt Greqisë të refugjatëve sirianë të larguar nga rajoni i Idlibit, zona e fundit që forcat qeveritare siriane po përpiqen të vënë nën kontroll në luftë me forcat rebele.
Mijëra sirianë janë bllokuar në kufirin me Greqinë dhe po përpiqen të hyjnë në Greqi, pavarësisht se Greqia dhe BE-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta lejojnë këtë gjë.
Përballë kësaj krize, duket se qeveria shqiptare mund të jetë e gatshme që të presë refugjatët sirianë që mund të vinë ose nga toka përmes Greqisë drejt Evropës perëndimore ose përmes detit.
Top Channel raportoi në fillim të javës se qeveria ka përgatitur gjashtë qendra pritëse me kapacitet rreth 30 mijë refugjatë, në pikat kufitare të Kakavijës, Rripsit, Qafë Botës, Tre Urave dhe Kapshticës.
Po sipas burimeve të Top Channel konfirmuar nga Exit News, qeveria po përgatit ngritjen e kampeve të refugjatëve në pikat e mëposhtme:
— Në Gjirokastër, në fshatin Arshi Lengo, me kapacitet strehues 5 mijë persona;
— Në Korçë, në fshatin Pocest dhe në fshatin Floq, për 5 mijë persona;
— Në Sarandë, në fshatin Krane, me kapacitet 1 mijë përsona;
— Në Lezhë, në zonën e Gjadrit me kapacitet 5 mijë persona;
— Në Elbasan, në fshatin Mjekës, në Krastë dhe Zaranikë me kapacitet 5-10 mijë persona.
Ministria e Brendshme deri tani nuk ka bërë asnjë deklaratë për të konfirmuar ose hedhur poshtë lajmin.
Kryeministri Rama është shprehur në të shkuarën i gatshëm të presë emigrantët sirianë në Shqipëri, me gjasa për të garantuar mbështetje ndërkombëtare.
Në qershor të vitit 2018, në një takim me Kancelarin austriak Kurtz ai shpejtoi të vetëofrojë Shqipërinë si vend të mundshëm për ngritjen e kampeve pritëse të emigrantëve të paligjshëm të kthyer mbrapsht nga vendet e BE-së.
Po në vitin 2018, qeveria Rama pranoi që Shqipëria të bëhej vend për pritjen dhe rehabilitimin e ish-luftëtarëve të ISIS që ktheheshin nga lufta në Siri dhe Irak.
Në 2016, qeveria shqiptare pranoi të strehojë tre mijë ish-muxhahedinë iranianë—duke i zgjidhur SHBA-ve një nga kokëçarjet më të mëdha të tërheqjes ushtarake nga Iraku—në këmbim të vizitës së Ramës dhe Tahirit në Shtëpinë e Bardhë ku u takuan me Presidentin Obama.