Autoritetet shëndetësore në Kosovë po hasin vështirësi në monitorimin dhe trajtimin e rasteve me koronavirus në komunat me shumicë serbe.
Radio Evropa e Lirë, raporton se institucionet lokale të këtyre komunave nuk u raportojnë Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, por qeverisë serbe në Beograd.
Në Kosovë deri më sot janë diagnostikuar 94 persona të infektuar me Covid-19, ndërsa 3 të infektuar të tjerë nga komunat serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç dhe Graçanicë – i kanë raportuar rastet në Beograd dhe jo në Prishtinë.
Instituti i Virologjisë Torlak në Beograd analizon edhe mostra nga komunat serbe të Kosovës, ndërsa të infektuarit nga këto zona janë transferuar për trajtim në Nish të Serbisë.
Edhe pse nga Ministria e Kosovës këmbëngulin se autoritetet shëndetësore u shërbejnë të gjitha etnive, ata u kanë bërë me dije se deri më sot në spital nuk ka asnjë anëtar i komunitetit serb.
Kjo situatë duket e pakuptimtë në një kohë kur distancat e mëdha me Serbinë nuk u shërbejnë pacientëve.
Në Serbi janë raportuar 785 të infektuar me Covid-19, prej të cilëve 42 janë shëruar dhe 16 kanë vdekur.
Ndërkohë nga 94 të infektuarit në Kosovë, 1 është shëruar dhe një tjetër ka humbur jetën.