Vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar është miratuar në fshehtësi dhe jashtë agjendës së mbledhjes së Këshillit.
Fabian Topollaj, anëtar i Këshillit Bashkiak, ka bërë publike e-mailet zyrtare për organizimin e mbledhjes së Këshillit, ku kuptohet se mbledhja për të votuar për shembjen e TK-së duhet të zhvillohet më 15 maj, në orën 12:00.
Por mbrëmjen e 14 majit, Këshilli Bashkiak publikoi vendimin e miratuar nga këshilltarët, i cili i hap rrugë shembjes së Teatrit edhe pse nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar as për mbledhje të Këshillit dhe për rrjedhojë për votim në datën 14.
Nuk dihet si është marrë vendim, pra në çfarë mënyrë është votuar dhe si është administruar vota dhe pse ky votim u bë 24 orë më herët se mbledhja e njoftuar e Këshillit.
Ky është një fakt që duhet hetuar administrativisht për të bërë transpatencë për një çështje me rëndësi dhe interes të madh publik.
Kronologjia e ngjarjeve sipas Topollajt.
— Mëngjesin e 13 majit, këshilltarët bashkiakë njoftohen me email për mbledhje të Këshilli Bashkiak online. Në rendin e mbledhjes nuk përfshihej diskutimi për Teatrin Kombëtar.
— Mëngjesin e 14 majit, këshilltarët lajmërohen me e-mail se në mbledhje do të votohej dhe për shembjen e Teatrit Kombëtar. Për këtë temë nuk do të kishte diskutime, por këshilltarët duhet të shprehnin votëm me email më 15 maj, në orën 12:00.
— Papritmas, dhe pa asnjë njoftim apraprak, mbrëmjen e 14 majit, në media u publikua vendimi i Këshillit Bashkiak, me të cilin miratohej shembja e teatrit, me 60 vota pro nga 62 anëtarë.
— Pas publikimit të vendimit, Bashkia lajmëroi këshilltarët për zhvillimin e një mbledhje të Këshillit ditën e hënë, më 18 maj, ora 11, ku do të diskutohet ndërtimi i godinës së re.