Lidhja Demokratike e Kosovës dhe aleatët e saj në koalicionin qeveritar kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, por për të vazdhuar me formimin e qeverisë së re.
Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti u shprehën të gatshëm për të formuar sa më parë qeverinë e re.
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi:
“Si mandatar për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë.”
Kryetari i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa u shpreh:
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë.
Vendimi i Gjykatës nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen.
I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese.”
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së:
“Përshëndes aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij.
I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë.”
Kujtojmë se përpara se Vetëvendosja të çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, presidenti Thaçi kishte mandatuar Avdullah Hotin, propozuar nga LDK, për të formuar qeverinë e re.
LDK kishte arritur marrëveshje për koalicionin e ri me AAK-në e Haradinajt, Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt, Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit dhe pakicat.