Lleshaj: Policia shkoi tek teatri në 17 maj sepse ia kërkoi Erion Veliaj

Nga Exit News
Lleshaj: Policia shkoi tek teatri në 17 maj sepse ia kërkoi Erion Veliaj

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi të enjten se policia në 17 maj shkoi tek Teatri Kombëtar sepse ia ka kërkuar ‘pronari i teatrit’, Bashkia Tiranë.

Duke folur në Kuvend, Lleshaj u shpreh:

“Policia e Shtetit nuk shkoi me iniciativën e saj në 17 maj në mjediset e teatrit, por u thirr në përmbushje të detyrimit ligjor.

Policia ka shkuar e thirrur nga autoriteti ‘pronar’, pasi një grup personash që nuk kishin asnjë tagër ligjor mbi godinën e mbajtën pezull për 27 muaj.”

Lleshaj tha se policia kishte vetëm dy alternative dhe ajo zgjodhi të zbatonte ligjin:

“Çfarë alternativash kishte policia me 17 maj? Dy, ose të shkonte dhe t’i përgjigjej kërkesës së Bashkisë për mbështetje ose ta refuzonte. Policia zgjodhi të zbatonte detyrimin ligjor.”

Lidhur me dhunën ndaj gazetarëve, Lleshaj tha se ka pasur vetëm 2 incidente të vogla me gazetarë, që në ato moment nuk kanë qenë në krye të detyrës:

“Policia nuk njeh hierarki, dhe askënd, njeh vetëm ligji. Atë ditë ka patur dy incidente me përfaqësues të medias të cilët nuk kanë qenë në ushtrim të detyrës së tyre. Ata kanë ndërhyrë dhe kanë penguar me dorë fizikisht, punonjëse femra të policisë gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Pengimi i detyrës së punonjësit të policisë përbën vepër penale. Këtë të drejtë nuk e ka as media, as ministri.”

Ministri dënoi qytetarët të cilët i kërkuan policëve më 17 maj që të hiqnin kapelet dhe t’i bashkoheshin protestuesve.

Në 17 maj, gjatë dhe pas prishjes së Teatrit Kombëtar, policia dhunoi protestuesit dhe arrestoi dhjetra prej tyre. Por dhuna e policisë u mohua nga ministri Lleshaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>