Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kundërshtuar 3 nismat e fundit të qeverisë Rama për:
- amnistinë fiskale,
- heqjen e tatimit mbi fitimin për të gjitha bizneset e vogla deri në 14 milionë lekë, ose rreth 115 mijë euro në vit;
- heqjen e TVSH-së për të gjitha bizneset e vogla me xhiro deri në 10 milionë lekë, ose rreth 90 mijë euro.
Pas një vizite zyrtare në Tiranë e cila përfundoi në 1 korrik, FMN, në një deklaratë zyrtare, kritikoi nismat e qeverisë.
Sipas FMN-së, përjashtimi nga taksat i grupeve të caktuara, në këtë rast bizneset e vogla, do të zvogëlonte bazën tatimore ose numrin e bizneseve që paguajnë taksa. Kjo do të çonte direkt në ulje të të ardhurave që mblidhen nga drejtoritë e taksave, pra do të sillte më pak para në buxhetin e shtetit.
FMN i rekomandon qeverisë që të mbështesë këto biznese me masa të përkohshme, pasi tashmë dihet që për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë së Covid-19, bizneset janë dëmtuar. Por përjashtimi i tyre nga taksat nuk është zgjidhja e duhur:
‘Kemi ndjekur me shqetësim një propozim të kohëve të fundit për të hequr deri në vitin 2029 tatimin mbi fitimin për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë dhe TVSH-në për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë.
Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cenuara nga këto kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirëorientuar, transparente, si edhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm.
Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cenonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore.’
Lidhur me amnistinë fiskale, FMN shkruan se ajo krijon kushte për pastrimin e parave dhe godet bizneset e ndershme. FMN theksoi se vendi ka nevojë së pari të ngrejë sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion, dhe jo për t’i nxitur edhe më shumë ato:
‘Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cenonte përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion.’
Për të lexuar më shumë për vendimin e qeverisë për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin dhe pagesën e TVSH-së për biznesin e vogël klikoni këtu.
Ndërsa për amnistinë fiskale dhe rreziqet e saj, Exit News ka shkruar më parë këtu dhe këtu.