Dita e djeshme ishte në mënyrë të pazakontë një ditë intensive e komunikimit publik të qeverisë në lidhje me koronavirusin.
Ndryshe nga komunikimet e zakonshme të ditëve më parë, dje jo vetëm ka patur disa herë më shumë dalje në publik, por janë përfshirë të gjithë drejtuesit më të lartë te vendit nga Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë, tek zëvendësministra, drejtorë dhe funksionarë të tjerë shtetërore.
Dhjetëra komunikime në një ditë të vetme.
Rreth orës 11:00 të paradites, doli para mediave Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, e cila informoi se 17 rastet e testuara deri tani kanë dalë negative dhe nuk ka asnjë rast tjetër të identifikuar me virus.
Në orën 12:00 Kryeministri Rama thirri Komitetin e Emergjencave Civile në një mbledhje që u duk e sajuar dhe me qëllim të vetëm propagandën publike të transmetuar drejtpërdrejtë nga mediat. Në mbledhje foli gjatë Kryeministri dhe Ministrja Manastirliu duke propaganduar në detaje masat e qeverisë për përballimin e infeksionit.
Ndërkohë gjatë gjithë ditës përfaqësues të qeverisë— zëvendës ministra, drejtorë, burokratë të nivelit të mesëm—mësynë në të gjitha mediat kryesore të vendit për të sqaruar në detaje masat përgatitore të qeverisë.
I gjithë komunikimi i djeshëm publik nga të gjitha nivelet e qeverisë dhe shtetit, ka qenë dukshëm i bazuar mbi disa “pika bisede” të parapërgatitura dhe të koordinuara mirë. Nga analizimi i gjithë diskursit, del fare qartë se qeveria dje ka dashur të japë disa teza dhe mesazhe të rëndësishme.
Exit News sjell dhe zbërthen këto mesazhe më poshtë.
1. Nuk ka asnjë rast të infektuar. Ky mesazh u theksua dhe u ritheksua pa fund nga të gjithë.
Cili ka qenë qëllimi i komunikimit: nuk mund të fajësohet qeveria për asgjë, pasi nuk ka asnjë pasojë negative deri tani; kanë qenë të padrejta kritikat e bëra ndaj qeverisë për vonesa në marrjen e masave parandaluese, sidomos kontrollit të udhëtarëve nga zona e prekura, veçanërisht Italia, sepse nuk ka asnjë pasojë.
2. Është mëse normale që në të ardhmen të kemi raste të infektuara, madje kjo është e pashmangshme. Kryeministri mbajti një hyrje të gjatë filozofike mbi botën e vogël dhe të lidhur ngushtësisht ku jetojmë, nga e cila nuk mund të izolohemi dhe të ndalojmë virusin të na prekë. Kurse Manstirliu e tha qartë dhe pa asnjë filozofi se “nuk përjashtohet mundësia që edhe në Shqipëri të ketë të infektuar”. Një përfaqësuese e sistemit të shëndetësisë majde u shpreh se mezi priste të kishte ndonjë rast me infeksion si shkencëtare që është.
Cili ka qenë qëllimi i komunikimit: nuk mund të fajësohet qeveria nëse nesër do të zbulohen raste me infeksione, pasi kjo gjë është e pashmangshme dhe përtej mundësive të qeverisë, e cila deri tani ka bërë punë të jashtëzakonshme që e ka parandaluar.
3. Qeveria ka bërë përgatitje të jashtëzakonshme, me përgjegjësi të lartë për të përballuar rastet e mundshme me infeksion. I gjithë komunikimi i djeshëm kishte braktisur çdo referencë ndaj parandalimit që duhet të ishte prioriteti kryesor i propagandës, përderisa nuk jemi prekur nga virusi. Por në mënyrë, të papritur i gjithë komunikimi u përqendrua tek propaganda e masave të qeverisë për trajtimin e rasteve me infeksion.
Kryeministri, ministrja dhe të gjithë të tjerët dje shpjeguan në detaje spitalet e bëra gati për pritjen e të infektuarve, trajnimin dhe pajisjen e personelit shëndetësor, krijimin e mjediseve për karantinën e familjarëve të të infektuarëve të mundshëm. Askush nuk harroi të theksojë që të gjitha këto gjëra janë bërë në përputhje me standardet e OBSH-së.
Cili ka qenë qëllimi i komunikimit: qeveria është largpamëse, e përgjegjshme dhe ka bërë maksimumin, bazuar në standardet ndërkombëtare, dhe nëse nesër do ketë ndonjë rast me infeksion, qeveria do bëjë çdo gjë që është e mundur dhe nuk mund të fajësohet për asnjë pasojë.
4. Qeveria është përgatitur për të përballuar numër të madh të infektuarish dhe familjarësh të tyre. Do të ishte normale që në kushtet kur nuk ka asnjë të infektuar, qeveria të fliste për raste të vogla të mundshme.
Por në mënyrë të çuditshme të gjithë përfaqësuesit e qeverisë kanë theksuar se janë të përgatitur për dhjetëra dhe qindra raste të mundshme: janë dhjetëra shtretër spitalorë të bërë gati, pjesë të tëra fizike të spitaleve të bëra gati, kapacitete për qindra familje në mjediset e bëra gati për karantinën e familjarëve.
Cili ka qenë qëllimi i komunikimit: edhe nëse bëhet fjalë për infeksione që kanë prekur grupe të mëdha apo me kontakte me grupe të mëdha, qeveria është e përgatitur edhe për këtë dhe nuk mund të fajësohet nesër nëse kemi ndonjë shpërthim në një zonë apo grup popullsie.
I gjithë ky aksioni i komunikimit publik të qeverisë të çon të mendosh se kemi të bëjmë me këtë gjendje:
– qeveria ka identifikuar një ose disa raste të infektuara me koronavirus;
– rasti apo rastet duhet të kenë qenë në kontakt me grupe të mëdha njerëzish, me gjasa që mund të kenë infektuar dhjetëra të tjerë;
– qeveria po e mban të fshehtë këtë fakt, por duke e ditur se mund të detyrohet ta bëjë publik nëse situata bëhet serioze, ajo po përgatit gradualisht opinion publik për këtë mundësi.
Natyrisht përfundimi i mësipërm është hamendësim, por hamendësim i bazuar në sjelljen e qeverisë.
Një gjë është e qartë: i gjithë komunikimi publik i qeverisë nga dje është bërë i koordinuar dhe i qëllimshëm për të përgatitur opinionin publik se kur të ketë raste me infekson qeveria jo vetëm nuk ka faj, por ka qenë e parapërgatitur në mënyrë të shkëlqyer.
Exit News uron dhe lutet që të jetë krejtësisht i gabuar në analizën dhe përfundimet e veta.
Nëse ne nuk jemi të gabuar, do të thotë që qeveria jonë po sillet me mentalitetin e regjimeve diktatoriale të fshehjes së informacionit jetik nga publiku, vetëm për të mbrojtur imazhin e saj. Siç po ndodh aktualisht vetëm në Korenë e Veriut.