Ambasada Amerikane në Tiranë postoi sot videon e radhës për reformën në drejtësi. Në të ajo shpjegon Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), por nuk thotë se kur do të formohet ky organ i ri i drejtësisë dhe se pse nuk është formuar ende.
Në video shpjegohet se drejtuesi i BKH zgjidhet nga Kryeprokurori i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe dy prokurorë të saj.
Ambasada thotë se:
Detyra e BKH është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë.
BKH krahasohet nga ambasada me FBI-në dhe në video thuhet se hetuesit e saj do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virginia të SHBA-ve.
Ashtu si në katër videot e shkuara, ku është folur për reformën, vetingun, SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, edhe në videon e radhës, ambasada nuk flet për ngecjet e procesit, por thekson se institucionet e reja të drejtësisë do të kenë integritet dhe do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm. Në këtë cilësim ajo përfshin edhe Byronë e Hetimit.
Që prej 22 korrikut ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka nisur të postojë video shpjeguese për reformën në drejtësi. Në disa raste ajo ka keqinformuar publikun, pasi nuk ka folur për zvarritjet e procesit dhe faktin se organet e drejtësisë nuk janë formuar ende.
Reforma në Drejtësi nisi tre vite më parë dhe ende ajo nuk ka nxjerrë organe të plota.
Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Gjykata e Posaçme, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Byroja Kombëtare e Hetimit, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, janë jo-funksionale pasi nuk kanë kuorumin e duhur.
Shpjegimi në videon e pestë të ambasadës amerikane:
Çfarë është BKH?
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) është njësia hetimore e SPAK-ut. SPAK-u është një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë.
Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt hetuesit e BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virginia.
Ligji mbi SPAK-un, po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH.
BKH përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish, të cilët do të duhet të përmbushin standarde të forta të ngjashme me ato të FBI-së.
Kryeprokurori i posaçëm i SPAK-ut dhe dy prokurorë të posaçëm të tjerë zgjedhin bashkarisht drejtorin e BKH-ës. Ky drejtor do të drejtojë ekipet e hetuesve pasi të jenë përzgjedhur për këtë organ të rëndësishëm kombëtar drejtorit dhe hetuesve të BKH-ës do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe telefonat për të siguruar që kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.
Pse është e rëndësishme BKH?
Në të kaluarën, cilido me para apo pushtet mund të ndikonte sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani Kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë.
Me t’u ngritur SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta dhe prokurorët e posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në Gjykatë.
Zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japing llogari dhe do të përballen me drejtësinë.
Prokurorët e posaçëm dhe BKH janë këtu për t’u siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin.