Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Philip Kosnett mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë si dhe ka mbajtur qëndrim kritik ndaj kryeministrit Kurti për qasjen e tij në dialogun me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Kosnett në një intervistë për Radion Kontakt Plus, duke shtuar se “historia nuk fillon në ditën kur është formuar Qeveria e Albin Kurtit”.
Kosnett kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më parë nga palët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë kundër formimit të Asociacionit duke thënë se në Kosovë “nuk mund të formohet asociacion njëetnik”.
Kosova dhe Serbia firmosën në 2013 në Bruksel marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Një marrëveshje shtesë u arrit dy vite më vonë për themelimin e asociacionit por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet e marrëveshjes janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Kossnet theksoi nevojën për kompromis mes Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që ato të arrijnë një marrëveshje përmes dialogut.
“Qeveria në Prishtinë ankohet se nuk ka pasur asnjë kompromis nga Beogradi, se Beogradi nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij. Kjo është pikërisht ajo për të cilën palët duhet të ulen dhe të flasin dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, tha Kosnett.