Ambasadori rus: Pa Rusinë nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi

Nga Exit News
Ambasadori rus: Pa Rusinë nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi

“Nëse Beogradi do ta kërkojë, Rusia do të përfshihet në bisedimet Serbi-Kosovë, pasi pa Rusinë dhe miratimin nga Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara, cilado qoftë marrëveshja mes dy shteteve, nuk do të vlejë” – kështu u shpreh sot në një intervistë për mediat serbe Ambasadori rus në Beograd Alexander Botsan-Kharchenko.

Nën negocimin e Ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar javët e fundit marrëveshje për të lejuar hapjen e linjave të udhëtimit hekurudhor dhe ajror. Kjo është përshëndetur gjerësisht si një hap drejt rinisjes së bisedimeve mes dy vendeve.

Gjatë vizitave në Prishtinë e Beograd, Grenell i kërkoi Kosovës heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe ndërsa Serbisë dhënien fund të lobimit kundër njohjeve të pavarësisë dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kjo kërkesë është konsideruar nga Presidenti Vuçiç si e padrejtë pasi ai ka theksuar se nuk ka asnjë shkelje të ligjeve ndërkombëtare në lobimet e Serbisë.

Për këtë qendrim Vuçiç ka marrë mbështetje nga ambasadori rus. Botsan-Kharchengo është shprehur se nuk ka barazpeshë në kërkesat mes palëve, pasi heqja e taksës nuk mund të diskutohet me tërheqjen e Serbisë nga lobimi.

“Çështjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Shtete të pavarura dhe sovrane, u tërhoqën nga njohja e pavarësusë së Kosovës, pasi e kuptuan se deklarata e pavarësisë ishte e njëanshme dhe në shkelje të ligjeve ndërkombëtare.”

Zhvillimet e fundit ambasadori rus i ka përshkruar si të nxituara dhe shqetësuese.

“Kërkesa për zgjidhje të shpejtë mes paleve është shqetësuese. Rikujton ripërtëritjet e njohura në afate të cilat shkaktuan dështimin e bisedimeve të mëparshme me Kosovën. I referohem bisedimeve tripalëshe të Ahtisarit.

Për aq kohë sa nuk ka kompromis, në fuqi mbetet Rezoluta 1244 e OKB-së. Marrëveshja e Dayton-ës [marrëveshja e paqes së luftës në Bosnje], për shembull, ishte rezultat i dialogut. Të gjatë, intensive dhe të qetë. Ja pse unë them se nuk është realiste të vish me një zgjidhje të shpejtë për Kosovën.”

Harchenko hodhi poshtë pretendimet se Rusia nuk do zgjidhje mes Serbisë dhe Kosoves pasi përmes Serbisë dëshiron të ruajë ndikimin në rajon.

“Interes i Rusisë gjithmonë ka qenë vazhdimi [i bisedimeve], në këtë rast rifillimi i bisedimeve”.

Rusia është një nga 5 shtetet permanente të Këshillit të Sigurimit në OKB, bashkë me SHBA-të, Kinën, Francën dhe Britaninë e Madhe. I formuar pas Luftës së Dytë Botërore, Këshilli vendos me rezoluta të detyrueshme për mbajtjen e sigurisë dhe paqes. Shtetet permanente kanë të drejtën e vetos për të rrëzuar rezoluta.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë prej vitit 2018 kur Kosova u vuri taksë 100 për qind mallrave nga Serbia. Dialogu, i nisur prej vitit 2011, është ndërmjetësuar vazhdimisht nga BE dhe ka pasur gjithmonë mbështetje të SHBA-ve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>