Soreca bën të keqkuptuarin, por prapë mbështet tenderin

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Soreca bën të keqkuptuarin, por prapë mbështet tenderin

Dje, pati një reagim të shpejtë kundër komenteve të Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në lidhje me Teatrin Kombëtar, ku ai u dukej se mbështeste plotësisht procedurat fallco tenderuese që shërbejnë si maskë për privatizimin e paligjshëm të një sipërfaqe të madhe toke publike në qendër të Tiranës dhe shkatërrimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar.

Ambasadori Soreca u përgjigj ndaj kritikave duke thënë se çështja ishte “politizuar”. Por kjo shprehje ngjalli më shumë kritika. Analisti Fatos Lubonja iu përgjigj: “padyshim është politikë, por ju për çfarë jeni aty në qoftë se jeni?”

Në fakt, është e jashtëzakonshme që Ambasadori i BE-së vetëm tani e kupton se një çështje që përfshin tokën publike, oligarkë të korruptuar dhe një qeveri të kapur nga krimi i organizuar është e “politizuar”.

Vonë në darkë, Ambasadori Soreca komentoi sërish në median sociale, duke u shprehur se deklarata e tij ishte “paraqitur jashtë kontekstit”.

“Vërej me shqetësim se përgjigjja ime sot në një pyetje mbi çështjen e Teatrit Kombëtar është paraqitur jashtë kontekstit.

Prandaj është e dobishme të theksohet se sot kam përsëritur qëndrimin e shprehur tashmë shtatorin e kaluar nga Komisioni Evropian, kur autoritetet kompetente shqiptare u ftuan për të ndjekur pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe për të siguruar qasje jo diskriminuese në treg.

Gjithashtu deklarova sot se transparenca e procedurave është thelbësore për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë”.

Praktikisht, kjo është përsëritje e mbështetjes së Ambasadorit Soreca, dhënë dje paradite për tenderin, për aq kohë sa procedurat të jenë “transparente” dhe të sigurojnë “konkurrencë të drejtë dhe të lirë”.

Çështja që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka ngritur për më shumë se sa një vit është se tenderi në vetvete është abuziv, sepse Ligji Special favorizon vetëm një kompani private, firmën Fusha shpk, dhe anashkalon Këshillin Bashkiak të Tiranës në procesin e vendimmarrjes në lidhje me privatizimin e tokës publike.

Për më tepër, Ligji Special është dërguar nga Presidenti Meta në Gjykatën Kushtetuese, dhe për këtë arsye të gjitha procedurat e mëtejshme të tenderit duhet të ndërpriten derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet në lidhje me kushtetueshmërinë e ligjit, sikurse u theksua më parë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger.

Kjo tani duket se është konfirmuar me gjysmë zemre edhe nga Ambasadori Soreca, sidoqoftë, pa iu referuar në mënyrë të qartë thirrjes së Presidentit Meta për gjykim në Gjykatën Kushtetuese:

“Unë shtova se është e nevojshme që të jepet kohë për procedurat institucionale për të marrë një vendim për çdo mosmarrëveshje ligjore që ekziston në këtë çështje, në respekt të plotë të sundimit të ligjit”.

Mbetet për tu parë se çfarë do të do të thotë “respektimi i plotë i zbatimit të ligjit”. Sikurse ne e kemi thënë disa herë, Delegacioni i BE-së në Tiranë duket se zbatimin e ligjit e ka shqetësimin e saj të fundit, përndryshe do të tregohej më e kujdesshme në dhënien e mbështetjes së hapur ndaj një qeverie që shkel ligjin në çdo hap të saj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>