Gjyqtari Ardian Dvorani i kërkoi Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të vazhdojë detyrën si anëtar i saj.
Në një letër dërguar KED, Dvorani argumenton se se lëvizjet nga njëri pozicion në tjetrin nuk cenojnë të drejtën për të përfunduar mandatin si anëtar i KED.
“Në kushtet kur lëvizje të tilla në funksion nuk janë të ndaluara nga Kushtetuta dhe ligji, është krejtësisht e logjikshme që ato lëvizje nuk mund të cenojnë dhe përfundojnë ushtrimin e detyrueshëm të detyrës së magjistratit në përbërje të KED (përbërje e cila zgjidhet vetëm një herë me short për të gjithë vitin kalendarik) dhe nuk mund të cenohet në funksionimin normal të tij nga lëvizjet e ligjshme në karrierë të magjistratëve.”
Dvorani shtoi se e konsideron të ligjshme vazhdimin e detyrës pranë KED dhe pas transferimit të tij në Gjykatën e Apelit Administrativ.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi në qershor përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Exit ka argumentuar në një artikull të mëparshëm se mandati në KED është i lidhur ngushtë me ushtrimin e funksioneve si gjyqtar apo prokuror pranë gjykatave përkatëse, cka do të thotë se mosushtrimi i këtyre funksioneve cilado qoftë arsyeja, sjell humbjen e mandatit në KED.