Dy ish-truproja të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri janë arrestuar të mërkurën jashtë vendit pasi ishin shpallur në kërkim pas operacionit anti-drogë “Shpirti”.
Hekuran Marku është arrestuar në Gjermani ndërsa Paul Deda alias Agustin Deda është arrestuar në Francë.
Marku dhe Deda akuzohen se gjatë kohës që kanë shërbyer si truproja të ministrit Tahiri kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Përfshirja e tyre në trafikun e drogës ka dalë nga dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë të cilët kanë rrëfyer në Bari për rrjetin e trafikut nga Shqipëria drejt Italisë.
Sipas News 24, Paul Deda ka kërkuar azil politik në Francë dhe kërkesa e tij po shqyrtohet nga autoritetet vendase.
Ndërkaq SPAK ka kërkuar nga autoritetet gjermane dhe franceze ekstradimin e tyre në Shqipëri.
Operacioni “Shpirti” kundër trafikut ndërkombëtar të drogës u zhvillua më 7 korrik, në bashkëpunim me institucionet italiane të drejtësisë.
38 persona janë arrestuar për akuza të ndryshme si korrupsion, abuzim me detyrën, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge.
GJKKO ka vendosur të lërë në masën arrest me burg 10 të arrestuar ndërsa 4 të tjerë janë në arrest shtëpie, përfshi edhe prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, i dyshuar se ka ndihmuar trafikantë për t’iu shmangur drejtësisë.
Fillimisht nga policia u raportua se dy ish-trupërojat e Tahirit ishin arrestuar ditën kur u ekzekutua operacioni i policisë.
Por ata ishin arratisur jashtë vendit, fakt të cilin e denoncoi edhe opozita e cila akuzon strukturat shtetërore se i kanë ndihmuar të arratisen.