Shfaqja e një artisti që flet broçkulla teksa i thur lavde një politikani të krimbur nga mashtrimet dhe korrupsioni është pamje e shëmtuar.
Në Shqipëri kjo ndodh shpesh dhe në mënyrë fare vulgare, çfarë tregon jo vetëm degradimin politik të pushtetarëve, por edhe mungesën e thellë të dinjitetit të shumë artistëve dhe intelektualëve, të cilët pranojnë të përdoren në mënyrë kaq flagrante.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është ndoshta politikani që e ushtron më së shumti këtë përçudnim. Kryeministri Rama duket më i kursyer, ndoshta për shkak se nuk e lë narcizizmi dhe përçmimi që duket se ka për kolegët e tij artistë.
Qeveritë e mëparshme i kanë përdorur imazhe të tilla, gjithashtu, por jo në nivelin telendisës siç di t’i përdorë Veliaj. Ai nuk ka lënë zë publik pa e përfshirë në mbjellje pemësh, aktivitete, shfaqje, pritje, spote reklamuese, duke i vënë të gjithë, aktorë, këngëtarë, drejtues emisionesh të recitojnë lavde nga më banalet për të.
Në këtë kuptim, Eneda Tarifa ishte thjesht fruti i rradhës i shtrydhur për të zbutur neverinë popullore të mbledhur në këto gjashtë vite. Zëri i saj iu bashkua tashmë korit të stonaturave propagandistike të masës së atyre artistëve, që e shesin imazhin për pesë lekë në tezgat e politikës.
Në takimin e hapjes së fushatës së PS-së për zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit, Tarifa tha:
“Nëse do kishte bërë nëna nja tre si Erion Veliaj, nuk e di ku do të ishim këtë katërvjeçar. Unë jam në krah të Erionit sot, jo sepse kam një background socialist, as sepse kam një teserë partie; jam këtu, sepse besoj tek ky djali që kam këtu pranë; besoj, sepse kam parë atë që ka ndodhur me Tiranën tonë të dashur.”
Pa dyshim, nëse Eneda do të ishte anëtare e PS-së dhe do të merrte pjesë në takim si militante, do të kish qenë shumë herë më e justifikuar. Ka edhe në botë artistë që besojnë në parti të ndryshme dhe militojnë në rradhët e tyre dhe, pavarësisht se ka gjithmonë kritika kundër tyre, kjo gjë mund të jetë e pranueshme.
Por kur ajo përpiqet ta shesë patetizmin kundrejt Kryetarit të Bashkisë si një vlerësim të paanshëm, që vjen nga një pozicion i depolitizuar, gjithçka kthehet në një falsitet propagandistik banal. Zonja në fjalë është vetëm duke kontrabanduar profilin e artistit në shërbim të një propagande politike, pikërisht me mjetet tipike të kësaj propagande: mashtrimin publik.
Nuk po ndalem të analizoj ato që këngëtarja tha në lidhje me punët e mëdha të kësaj bashkie, që e paskan entuziazmuar aq shumë sa të braktisë pozicionin e saj gjoja jopolitik.
Nga ana tjetër, kuptohet se skenari ku ajo u përfshi është problematik dhe i përgatitur nga të tjerë. Madje edhe teksti duket se është hartuar në tavolinat e propagandës të Veliajt, pasi bart të njëjtin stil mediokriteti propagandistik, të stisur për të gënjyer turmat, që shfaq çdo fjalim i tij.
Vetë ideja e të pasurit nja tre Erionë Veliaj, si një mjet retorik banal për të treguar se Erion si ky nuk bën më nëna, është një instrument propagandistik që, përveç ndjesisë se të ka zënë makina, nuk shkakton asnjë sugjestion te dëgjuesi.
Të imagjinuarit e tre Erionëve në krye të bashkisë është shpërdorim i madh i fantazisë, aq më tepër për një qytet të shpërfytyruar si ky i yni. E megjithatë, zonja Tarifa nuk shikon aspak se si ky qytet po degradon nga korrupsioni, uzurpimi i hapësirave, shkatërrimi i zonave kulturore, historike e identitare, betonizimi, ndotja, taksat, trafiku, mungesa e hapësirave për parkim e parqe dhe nga kostoja e lartë e jetesës.
Jo, ajo shikon vetëm Tiranën 3D të videoklipeve të bashkisë, që shumëfishohen kudo nëpër ekranet e klientëve të saj.
Në Republikën e tij, Platoni i vendos artistët në fundin e hierarkisë shoqërore. Ai e shikon artin si një rrezik, një instrument që manipulon të vërtetën te njerëzit. Për këtë arsye, artistët duhen mbajtur larg.
Në fakt, arti bart një potencial të madh ndikimi në shoqëri, ndaj edhe pushteti ka qenë gjithmonë i interesuar ta përdorë atë. Por arti ka një mision të vetin dhe ai i drejtohet publikut duke iu referuar një sfere të lartë të vlerave njerëzore. Ai shtjellon të bukurën, të drejtën, të vërtetën dhe gjërat më sublime te njeriu, ndaj dhe pritet që artisti të rrezatojë moral të lartë dhe fisnikëri. Nëse i shet të gjitha këto për t’i shërbyer pushtetit, ai ka tradhëtuar publikun dhe veprën e vet.
Për këtë arsye shoqëria priret t’i shohë artistët larg politikës. Çdo përzierje me të mund të shpjerë në kompromentimin e veprës së tyre, ndaj depolitizimi është parë si një mënyrë për ta mbrojtur artin nga politika. Megjithatë ka edhe një pikëpamje tjetër, që e sheh vetë krijimin artistik si një akt thellësisht politik. Artisti nuk mund të qëndrojë larg problemeve të shoqërisë, ndaj edhe arti është një mënyrë për të vetëdijësuar shoqërinë mbi to.
Sërish, edhe në këtë kuptim arti politizohet, duke mbetur gjithmonë thellësisht opozitar dhe kurrë në krah të pushtetit, aq më pak akoma të shndërrohet në një instrument propagandistik në funksion të tij. Përfshirja e artistëve në fushata elektorale apo në qëndrime politike është parë me kriticizëm kudo.
I përfshirë në një debat mbi angazhimet e artistëve kundër Presidentit Tramp në SHBA, një roker karizmatik si Alice Cooper reagoi para disa muajsh, duke thenë se artisti mund të angazhohet në politikë vetëm në shërbim të një kauze dhe kurrë në shërbim të një partie apo udhëheqësi. Shtrohet pyetja: Cila është kauza e Eneda Tarifës dhe e shumë të tjerëve si ajo, që i bëjnë qokë Lali Erit? Pylli orbital, stadiumi me kullë, Sheshi Skënderbej, apo aktivitetet e ditëve pa makina?
Pjesa më e trishtë në këtë histori është konstatimi sesa i vlen pazari një artisti. Mungesa e dinjitetit, e konstatuar në mënyrë dramatike në rastin e teatrit, tregon se ndër ta ka një klasë të përdhunuar moralisht, me një mungesë të thellë dinjiteti dhe vetëdijeje për t’u ngritur në lartësinë e statusit të tyre.
Të dalë nga një regjim totalitar, që i përdorte si kllounë të një propagande groteske kriminale, ata duket se nuk janë çliruar dot nga vesi i të shërbyerit, dhe më e keqja është se këtë ves ua kanë trashëguar tashmë edhe artistëve të rinj. Kjo është arsyeja përse sot politika i nënshtron thuajse të gjithë, në çdo fushë, dhe shumë pak individë kurajozë sheh të marrin përsipër t’i kundërvihen paudhësive të pushtetit.