Dje u shënuan disa reagime të pavenda nga përfaqësues të ndryshëm të Partisë Socialiste për protestën e ndërtimit të paligjshëm të një këndi lojrash në Parkun e Tiranës.
Kryeministri Edi Rama postoi në Facebook një video të animuar të këndit të lojrave, me qëllimin e vetëm për t’i treguar qytetarëve çfarë donte t’i dhuronte qytetit Partia Socialiste, dhe çfarë nuk donin protestuesit: një xhevahir për të luajtur fëmijët. Pse nuk e kemi parë më parë këtë video? Po pse ai që kërkon të bëjë “shtet” e ka firmën e tij mbi një leje me kusht të dhënë në një datë të mëvontë nga data që është shënuar për fillimin e punimeve në tabelën që ka vendosur bashkia? Pse firma e tij është mbi një leje me datë në një ditë kur nuk ka patur mbledhje të Këshillit Kombëtar të Territorit?
Kryebashkiaku Erjon Veliaj, nga Londra, i cilësoi protestuesit “vandalë të zhurmshëm” duke shpjeguar se Bashkia nuk mund ta ndalojë ndërtimin e parkut, sepse nëse do ta bënte një gjë të tillë do të ndalonte më pas i gjithë transformimi urban i Tiranës. Por pse ai që kërkon të bëjë “shtet”, nuk na thotë të gjithë të vërtetën mbi interesa të tjerë urbanistikë që qëndrojnë pas parkut të lojrave?
Kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Erion Braçe i cilësoi protestuesit “pitbullë” (një lloj qeni i egër), dhe duke shfaqur kulturën e tij të zakonshme, citoi një publikim të Akademisë së Shkencave për të shpjeguar që një park “duhet” të jetë i pajisur me lojra dhe vende dëfrimi. Pse ai, që kërkon të bëjë “shtet”, nuk diskuton për leje të munguara, për mungesë të konsultimit me publikun, dhe për mungesë transparence?
Ndërkohë të gjithë njëzëri i mveshin Partisë Demokratike rolin e drejtuesit të protestës, në mënyrë që të diskreditojnë legjitimitetin e protestës dhe të mobilizojnë politikisht radhët e socialistëve, dhe të justifikojnë këmbënguljen e tyre në realizimin e këtij biznesi.
Media të afërta me qeverinë, edhe pse të detyruara të japin lajmin e asaj që ndodhi në park, megjithëse të detyruara të publikojnë informacione që shpjegojnë se gruaja e dhunuar nga policia dhe më pas e arrestuar ishte një kirurge e nderuar në Gjermani dhe kishte marrë pjesë aktivisht në dy nga protestat më të rëndësishme që sollën në pushtet Partinë Socialiste (grevën e urisë në vitin 2010 dhe protestën e 21 janarit 2011), vazhdonin tregimin duke risjellë vetëm komentet e hierarkisë së Partisë Socialiste që i mveshnin çeshtjes zhurmuesve të PD-së.
Nga ana tjetër Partia Demokratike prodhonte deklarime agresive për të përvetësuar lidershipin e protestës, duke kërkuar të ngjyrosë me ngjyrën e saj politike.
Edhe një herë politika shqiptare, falë kontrollit mbi mediat kryesore, në pronësi të oligarkëve të njejtë që përgatiten për të ndërtuar brenda dhe përreth parkut, kërkon të çoroditë gjërat dhe të mos i lërë njerëzit të kuptojnë atë që po ndodh me të vërtetë.
Protesta e të dielës në park nuk ishte e organizuar nga PD, por nga një rrjet organizatash shoqërore, jo vetëm ambientaliste. Mes tyre ishte edhe NeShqipëria, organizata qytetare vazhduese e NeTiranës, të krijuar që përpara zgjedhjeve vendore, për të guxuar të prishë bipolaritetin politik shqiptar të kontrolluar nga oligarkët konçesionarë (të gjithë të interesuar për të ndërtuar në park).
Motivi i protestës nuk ishte aspak parku i lojrave për fëmijë, por arroganca dhe mungesa e transparencës me të cilën pushteti, pa asnjë respekt për ligjet dhe rregulloret e krijuara nga vetë ai, po maskonte përpjekjen e vazhdueshme për ndërtime të reja tregtare në park.
Në fakt, prej muajsh vërehet një balet vendimesh të dhëna dhe të padhëna, dhe konkursesh urbanistike të deklaruara dhe më pas të mohuara dhe në fund të përdorura si alibi në emisionet televizive, pa dijeninë e qytetarëve dhe opozitës.
“Vandalët e zhurmshëm” ose “pitbullët” ishin në fakt të diplomuar, njerëz të artit, profesionistë, njerëz me vizione perëndimore, të interesuara për një ndërtimin e një shteti të vërtetë, të bazuar mbi proçedura të njejta për të gjithë, dhe kontroll publik të veprimtarisë së qeverisë. Ishin njerëz që nuk joshen nga dhurata e sulltanit që u “jep” shërbëtorëve të tij një lojë të re (këndin e lojrave).
Dje nisi historia e divorcit zyrtar ndërmjet sulltanit dhe shoqërisë civile shqiptare që e kishte mbështetur, e cila është thellësisht e dëshpëruar që në mënyrë të pandërgjegjëshme ka krijuar një sulltan.
Nëse politikanët shqiptarë të sotëm nuk janë në gjendje të kuptojnë dhe interpretojnë domethënien e këtyre fakteve, kjo do të thotë që ata nuk kanë më asnjë cilësi të mjaftueshme për të qëndruar aty ku janë, dhe koha do të bëjë pjesën e mbetur të punës.
Ky është mësimi i historisë së politikës, dhe kjo do të jetë pashmangëshmërisht mësimi i parkut të Tiranës.