Banka Botërore ka theksuar sot për të disatën herë rrezikun që i vjen Shqipërisë nga partneritetet publike private dhe ka kritikuar Kryeministrin Rama për mungesë transparence në vendimmarrjen për PPP-të.
“Së pari, duhet parë se çfarë ndikimi ato kanë në borxhin publik? Së dyti, duhet parë nëse ofrimi i shërbimeve është ai i duhuri dhe ndarja e rreziqeve midis sektorit privat dhe publik është ai i duhuri sepse siç është vënë re dhe nga e kaluara në Shqipëri jo të gjithë PPP-të kanë rezultuar të suksekshme”, deklaroi Hilda Shijaku, përfaqësuesja e BB në Shqipëri, sot gjatë prezantimit të raportit të 13-të ekonomik rajonal.
Maryam Salim, menaxherja e Bankës Botërore për Shqipërinë, theksoi rëndësinë e transparencës që qeveria duhet të tregojë:
“Është e rëndësishme që të sigurohemi, siç është rasti i Shqipërisë, të fuqizojmë transparencën dhe kuadrin rregullator për menaxhimin e PPP-ve.
Duhet fuqizuar mënyra si vlerësohen PPP-të, si merren vendimet se cilat investime të bëhen me PPP.”
Edhe më herët Banka Botërore ka shfaqur dyshime dhe kritika për projektin e Qeverisë Rama “1 miliardë dollarë” investime me PPP në infrastrukturë.
Ekspertët e BB-së për Shqipërinë kanë rekomanduar në mënyrë të vazhdueshme që projektit “1 miliardë dollarë me PPP” t’i bëhet një analizë e qartë dhe transparente për të parë përfitimet e vendit dhe qytetarëve.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, po ashtu, ka kritikuar ashpër Qeverinë Rama për përdorimin e partneriteteve publike-private.