Ekonomia shqiptare do të preket rëndë dhe do të vuajë pasojat e krizës së Covid-19 për një kohë të gjatë. Kështu shkruan Banka Botërore në një raport për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Banka Botërore parashikon për Shqipërinë shkatërrim të vendeve të punës, falimentim të bizneseve, prishje të zinxhirit të prodhimit dhe largim të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Të gjithë këto do të kenë efekt afatgjatë në ekonominë shqiptare, dhe jo vetëm në periudhën post-Covid19.
Lidhur me sistemin banker, BB shkruan se megjithëse hynë në këtë krizë me kapital të forte, tani do të varen nga aftësitë e kredimarrësve për të paguar kreditë. Shumë prej tyre, për shkak të krizës mund të mos jenë në gjendje ta paguajnë në kohë kredinë, gjë që do të ndikojë dhe tek stabiliteti i bankave.
Marrja e masave të tjera në ndihmë të biznesit do të jetë e nevojshme nga ana e qeverisë. Kjo mund të rrisë edhe më tepër borxhin publik, por dhe defiçitin fiskal në vitin 2020.
Shumë sektorë e industri, si përshembull ai i turizmit, gjenden në një situatë kaotike dhe me mungesë informacioni për mbarëvajtjen e sezonit, duke bërë që të mos nxiten për të punuar dhe investuar për sezonin turistik.
“Po bëhet më e dukshme nga dita në ditë që Shqipëria do të përballet me një sezon turistik veror jashtëzakonisht të varfër,” shkruan Banka Botërore.
Të gjitha këto pasoja të rënda të pandemisë Covid-19 do të ndihen më shumë nga biznesi shqiptar edhe për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme në 3 qarqe dhe në mijëra biznese.