Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi të mërkurën qeverinë duke thënë se si pasojë e një keqqeverisje Shqipëria nuk ka sukses në asnjë fushë.
“Të gjithë e dinë tashmë që Shqipëria ka ngecur në vendnumëro me Ramën për 8 vjet rresht dhe kjo është arsyeja pse nuk kemi sukses në asnjë fushë – as në ekonomi, as në shëndetësi, as në turizëm, as në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Basha përmes një shënimi në Facebook.
Ai tha se PD ka një plan më serioz që sipas tij “do të sjellë një të ardhme më të mirë”.
Shqipëria nuk mund të ngecë në vend dhe për katër vjet të tjera me Ramën.
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar disa herë planin e PD për qeverisje.
PD ka prezantuar programin elektoral të shëndetësisë, të ekonomisë, rinisë dhe arsimit.
Basha ka thënë se fokusi i programit të tij është mirëqenia e të rinjve nëpërmjet punësimit. Ai tha se e vetmja mënyrë për të ndalur emigracionin është punësimi.
Kreu i PD premtoi 100 përqind financim për studentët.
Ai ka premtuar po ashtu se do të rrisë pensionet 2 herë më shumë se norma e inflacionit dhe të paktën 5 përqind në vit.