Basha dënon audiopërgjimin e Artan Lames: Akt kriminal

Nga Exit News
Basha dënon audiopërgjimin e Artan Lames: Akt kriminal

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dënoi audiopërgjimin e publikuar nga gazetari Artan Hoxha.

Basha e cilësoi si një skandal tjetër të Edi Ramës, “i cili e ka kuptuar se po i humb zgjedhjet dhe tani gjen mënyra si t’i gënjej për herë të tretë shqiptarët”.

“Skandal, pas skandali. E dëgjuat se si drejtori i përgjithshëm i Kadastrës me porosi të Edi Ramës udhëzon që të shkojnë derë më derë dhe t’u thonë familjeve që do t’u japin legalizimet, por në fakt ne nuk do ua bëjmë por s’mund tua themi tani”, tha Basha.

Ai e cilësoi si një akt kriminal dhe tha se “në ato shtëpi që do t’i prishë pas 25 prillit është sakrifica e jetës, e fëmijëve, e bijave dhe bijve tuaj në emigracion”.

Basha akuzoi qeverinë se premton legalizime për të marrë votën ndërkohë që qëllimi është t’u prishë shtëpitë pas zgjedhjeve.

Ai e quajti Ramën si një “kryeministër në ikje që gënjën, blen, manipulon dhe dhunon”.

“Ky është Edi Rama i 8 viteve. Dëgjojeni siç e dëgjoi gjithë Shqipëria sot. Kjo është politika që shkatërroi vendin për 8 vite me radhë. Le ta marrë përgjigjen nga Kamza, Paskuqani, Zallherri dhe gjithë Shqipëria”, tha Basha.

Kreu i PD ishte në Kamëz në një takim elektoral, ku tha se “koha e Rames ka mbaruar” dhe shtoi se pavarësisht atyre që bën “asgjë nuk e ndihmon dot”.

Basha tha se koalicioni për Ndryshim është “në rrugën e një fitoreje të jashtëzakonshme dhe më të madhe në historinë e Shqipërisë”.

Lame ka thënë se audiopërgjimi është i 2017 pas zgjedhjeve.

Në audion e publikuar, Lame dëgjohet duke porositur punonjësit të mos tregojnë nëse banesa do të legalizohet apo jo.

Ai shprehet se qytetari do te votojë atë parti që i premton legalizim, ndaj duhet të jenë të kujdesshëm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>