Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha siguroi të enjten se opozita do të kontribuojë në plotësimin e të gjitha kushteve për negociatat e anëtarësimit në BE.
Në një deklaratë për shtyp, Kryetari i PD-së u shpreh se Shqipëria ka 15 kushte për të siguruar negociatat dhe se zotimin për t’i plotësuar ato ia kishte shprehur Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
“E garantova [eurokomisionerin] se opozita, Partia Demokratike dhe unë personalisht, do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të kontribuar për plotësimin e këtyre kushteve.
Plotësimi i 15 kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme për këtë, do të sjellin jo vetëm hapjen e negociatave, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e mirëqenies ekonomike për çdo familje shqiptare.”
Biseda mes Bashës dhe Varhelyit u njoftua më herët nga vetë eurokomisioneri. Përmes një postimi në Twitter ai pohonte se kishte gjetur dakordësi me kryetarin e PD-së rreth vazhdimësisë së reformave ndërsa garantonte se:
“[…] BE-ja do të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet për rindërtimin [nga pasojat e tërmetit] dhe luftën kundër epidemisë së koronavirusit”.
Për këtë pjesë Basha shpjegoi se i kishte kërkuar Varhelyit shqyrtimin e çdo mundësie për të shtuar ndihmat.
“I kërkova [eurokomisionerit] mundësinë e rialokimit të fondeve brenda instrumentit të paraaderimit, që njihet si IPA, në drejtim të tre prioriteteve kryesore: 1) mbështetje për shëndetësinë, 2) mbështetje sociale për njerëzit në nevojë, 3) mbështetje për biznesin dhe ekonominë shqiptare.”
Gjatë kësaj jave BE ka njoftuar se do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor me 411 milionë euro grante, prej së cilave 50 milionë do të jepen për Shqipërinë.