Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë të mos bëjë propagandë, por të ndihmojë qytetarët e dëmtuar nga tërmeti, të bëjë transparente fondet, emrat e personave të ngarkuar me detyra dhe projektin e rindërtimit.
Rreth dy javë pas lëkundjeve shkatërrimtare të 26 nëntorit, Kryetari i PD-së, këmbënguli përmes një postimi në Facebook se ka sërish shumë familje të cilat nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Ai denoncoi shpërndarjen e tyre në mënyrë selektive me preferenca partiake “për miq e kushërinj”.
“Nëse nuk do të ishte ndihma e vullnetarëve, mjaft familje nuk do të kishin as bukë për fëmijët e tyre”.
Zoti Basha tha se “tërmeti nxorri në Shqipërinë e vërtetë, të varfër dhe të vjedhur”:
“[…] nxorri në pah paaftësitë dhe abuzimet e qeverisë që gjithë vëmendjen ua kishte kushtuar fasadave dhe projekteve me përfitues 10 oligarkë”
Kryetari i PD-së tha se në javën e tretë pas tërmetit, qeveria ende nuk ka bërë evidentimin e plotë të:
- sa banesa janë dëmtuar
- sa pallate janë shpallur të pabanueshëm
- sa qytetarë kanë mbetur të pastrehë
- sa qytetarë janë strehur në hotele dhe sa janë ende në qiell të hapur
- cila është lista e objekteve të dëmtuara dhe për të cilat deri më tani ka vendim për prishje.
“Është alarmante që ndërkohë që banorët dëshmojnë se ekspertët e vlerësimit nuk kanë ardhur dhe po jetojnë në qiell të hapur, qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim, vetëm show, vetëm batuta, vetëm përqeshje me fatkeqësinë. Kjo është e papranueshme! Kjo është tallje me qytetarët ndër më të varfërit në Europë”.