Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka vënë sot kusht kryeministrit Rama për miratimi e ligjit të Vetingut. Basha theksoi se do ta votojë këtë ligj, por nëse i hapet rrugë me parë qeverisë teknike. Gjithashtu, ai i është përgjigjur dhe deklaratave të Ramës, që e akuzon opozitën se ka frikë nga drejtësia dhe kërkon bllokimin e reformës.
“Ta bëjmë vetingun dhe të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur, por më parë ta nisim nga qeveria teknike. Pas korigjimit të 7 ligjeve, urdhëroni të bëjmë vetingun dhe të shohim se kush ka frikë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Nëse nuk tremben nga drejtësia, le t’i lënë rrugë qeverisë teknike”, deklaroi Basha.
Zoti Basha foli edhe për alarmin që ngriti ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt, se po qarkullojnë rreth 2 miliardë lekë të pista me të cilat mund të blihen deputetë në zgjedhje.
“Mbrëmë ambasadori i OSBE, Bernd Borchard më në fund lëshoi kushtrimin për kauzën që kemi ngritur tash tre vite: Dy miliadë euro të pista për të blerë zgjedhjet e shqiptarëve! Para të pista, qeveri e pistë, lojë e pistë, zgjedhje të pista ne nuk do të pranojmë kurrë”, deklaroi Basha.