BE do të zgjerojë kriteret për ndalimet e mundshme të eksportit të vaksinave Covid

BE do të zgjerojë kriteret për ndalimet e mundshme të eksportit të vaksinave Covid

BE pritet të marrë parasysh nivelin e vaksinimit në vende si Mbretëria e Bashkuar dhe rekordin e saj në lehtësimin e eksporteve për në bllok, kur të vendosë mbi  bllokimin e dërgesave individuale të vaksinave.

Rishikimi i skemës së autorizimit të eksportit do të njoftohet të mërkurën.

Masa vjen ndërsa zyrtarët e Britanisë dhe BE po kërkojnë të shmangin pasojat e përplasjes midis Brukselit dhe ndërmarrjes farmaceutike anglo-suedeze AstraZeneca.

Përplasja e fundit e interesave ka të bëjë me një strukturë të AstraZeneca në Holandë dhe kërkesat konkurruese të BE dhe Britanisë për dozat që prodhohen.

Zyrtarët në Bruksel thanë se nëse kompania do të bëj një kërkesë eksporti, me shumë mundësi ajo do të bllokohej.

Por BE dëshiron gjithashtu të zgjerojë fushën e saj për kontrollin e eksporteve nga blloku.

Burime për The Guardian thanë se ndryshimet që do të bëhen në mekanizmin e eksportit nuk përbëjnë një ndalim të eksporteve në Mbretërinë e Bashkuar.

Bëhet fjalë për një sërë kriteresh që do të duhet të merren parasysh për çdo kërkesë eksporti që do të behet nga një kompani farmaceutike.

Rregullat aktuale lejojnë që eksportet të bllokohen vetëm kur një kompani farmaceutike nuk arrin të përmbushë kontratën e saj me BE, siç pretendon blloku është rasti me AstraZeneca.

Eksporti i vetëm i ndaluar nga BE deri më tani është një dërgesë prej 250,000 dozash të vaksinës Oxford/AstraZeneca nga Italia në Australi.

Kompania ka qenë në gjendje të sigurojë vetëm rreth një të katërtën e dozave prej 120 milion që ishte zotuar të shpërndante në BE.

Masa për të shkuar më tej ofron prova të zhgënjimit në Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve anëtare, që teksa furnizuesit e vaksinave në BE kanë eksportuar rreth 10 milion doza në Britani, kryesisht Pfizer, nga ana tjetër nuk po ndodh e njëjta gjë.

Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ajo dëshironte të shihte reciprocitet më të madh në eksportet e vaksinave.

Të martën nënkryetari i Komisionit, Marosh Shefçoviç, tha se furnitorët e vaksinave kishin eksportuar 41.5 milion doza nga BE.

Pa përmendur emrin e Mbretërisë së Bashkuar, ai tha se ishte e padrejtë që disa vende nuk kishin eksportuar një “dozë të vetme” drejt BE-së.

A është ky furnizim për vendet e tjera proporcional me përpjekjet që po bën Bashkimi Evropian dhe vendet e prodhimit në BE, në krahasim me mënyrën se si evoluojnë normat e vaksinimit në të gjithë vendet anëtare të BE? Pra, kjo është ajo që ne duam të dëgjojmë nga partnerët tanë, sepse unë mendoj se të gjithë duan të kenë pjesën që u takon, ” deklaroi ai.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>