Deputeti dhe themeluesi i nismës LIBRA Ben Blushi akuzoi sot Kryeministrin Rama se ka prishur marrëdhëniet me shtetet fshinjë dhe ka dobësuar rolin e Shqipërisë në rajon.
Zoti Blushi tha se kryeministri e ka “personalizuar” diplomacinë dhe po e përdor atë për interesa personale.
Ndër të tjera Zoti Blushi deklaroi:
- Kemi sheqerosur marrëdhëniet me Serbinë. Kemi helmuar pa shkak do të thosha marrëdhëniet me Greqinë.
- Jemi kaotikë në marrëdhëniet me Maqedoninë. Kemi dobësuar marrëdhëniet me BE dhe kemi luajtur një ruletë ruse në raportet me SHBA.
- Ky është bilanci i diplomacisë shqiptare në katër vjet për shkak se e besoj dhe mund ta provoj se ka qenë gjithë kohës i personalizuar dhe nuk i ka krijuar Shqipërisë asnjë produkt, përfshirë dhe rastin e fundit në Kosovë.
- Shqipëria është aktori më i dobët sot dhe më i heshtur për atë që po ndodh në Kosovë duke i ndihmuar për fat të keq serbët.
- Politikës sonë të jashtme i mungon parashikimi. Të mungojë parashikimi në diplomaci është njësoj si të luash basketboll pa dorë ose të luash shah pa pasur një kalë.
- Duke qenë e dobët Shqipëria sot nuk ka mundësi ta ndihmojë Kosovën.
- Investimi personal i kryeministrit të Shqipërisë në Beograd sot nuk vlen asgjë. Serbët nuk ia blenë miqësinë e çmuar që ai ofroi pa kushte, përkundrazi ata mendojnë se e kanë zbutur Shqipërinë, e cila sot nuk mund të jetë dhe ndoshta nuk ka për të qenë një faktor në çështjen e Kosovës, çka dhe po ndodh.