BERZH kritika qeverisë për PPP-të: Po jepen pa garë dhe pa transparencë

BERZH kritika qeverisë për PPP-të: Po jepen pa garë dhe pa transparencë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka krituar sërish qeverinë Rama për dhënien e Partneriteteve Publike-Private pa garë dhe analizë të qartë të risqeve që i vijnë ekonomisë.

Në raportin e Tranzicionit 2019-2020, BERZH shkruan se qeveria ka dhënë PPP pa një proces transparent konkurrimi dhe pa garë. Një tjetër shqetësim që ngre BERZH është mospasja e mundësive financiare të kompanive që kanë fituar kontratat PPP:

“PPP-të e mëdha të diskutueshme vazhdojnë të jepen, veçanërisht në sektorin rrugor (për shembull seksionet Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara), pa nivel të mjaftueshëm të analizës kosto-përfitim dhe konkurrencë në procesin e tenderit.

Kjo rrit koston e mundshme sociale dhe e ekspozon qeverinë ndaj rreziqeve të zbatimit, duke pasur parasysh gjithashtu mungesën e përgjithshme të të dhënave dhe situatën financiare të ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara.”

Risqet që i vijnë ekonomisë shqiptare nga kontratat e shumta PPP, ‘që u mungon transparenca dhe përgjegjshmëria’, është një prej arsyeve kryesore se përse BERZH uli parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2019.

BERZH raportoi se  rritja ekonomike e Shqipërisë u ul në 2.4 për qind në gjysmën e parë të 2019-ës, nga 4.1 për qind në 2018.

BERZH ka kritikuar vazhdimisht qeverinë për dhënien pa kriter të PPP-ve. Matteo Colangeli, kreu i BERZH në Shqipëri, më herët këtë vit, tha se duhet të ketë më shumë transparencë, analizë të riskut dhe garë të hapur e të drejtë në rastet kur përzgjidhet Partneriteti Publik-Privat.

LEXO  PD Elbasan denoncon grabitje e tokës publike për të ndërtuar kulla

Edhe më problematike, sipas Colangelit, janë rastet kur qeveria pranon ofertat e pakërkuara nga kompanitë private, të cilat në shumicën e rasteve janë kontrata jofitimprurëse për shtetin.

Në vend të kontratave PPP, BERZH rekomandon përdorimin e huave nga institucionet ndërkombëtarë, si mënyrën me koston më të ulët për të projektet publike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>