Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështjes të Sigurisë, Jose Borrell i kërkoi të premten kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, që të vijojë dialogun e shpejtë me Serbinë.
“Në mënyrë që perspektiva evropiane të kthehet në realitet për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Përmes një letre urimi për detyrën e re, Borrell i tha Kurtit se “normalizimi i marrëdhënieve gjithëpërfshirëse me Serbinë, është thelbësore për rrugën e Kosovës në integrime evropiane”.
“Unë kam dëshirë që t’ju pres për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe qëndroj fort i vendosur për të ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në letrën e Borrell.
Për pandeminë ai ka thënë se mbetet prioritet kryesor. Por Kosova ishte ndër vendet e fundit që nisi vaksinimin dhe dozat që kanë marrë i ka siguruar përmes skemës COVAX.
“Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën teksa përparon në rrugën e saj evropiane. Do të nevojiten përpjekje të vendosura për reforma, për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë dhe për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik. Bashkimi Evropian është i gatshëm t’ju mbështes në këtë drejtim”, ka shkruar Borrell.