Që prej 14 majit, Ministri Fatmir Xhafaj dhe vëllai i tij Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për trafik droge, janë vënë në qëndër të diskutimit publik. Kësaj radhe nuk bëhet fjalë vetëm për dënimin e moskryer në Itali nga Agron Xhafaj, por dhe për akuzat e opozitës se vëllai i Ministrit vazhdon të merret me trafik droge në Vlorë, ku jeton prej vitesh.
Si kanë rrjedhur ngjarjet? Më poshtë po rendisimin në mënyrë kronologjike të gjitha zhvillimet e javës së kaluar lidhur me çështjen Xhafaj.
– Më 14 maj, ora 11:30, Partia Demokratike akuzoi Agron Xhafajn se vazhdon të merret me aktivitet kriminal dhe drejton trafikun e drogës nga Vlora. Për këto akuza, PD publikoi një audio-përgjim ku dëgjohet Agron Xhafaj teksa rregullon një ngarkesë droge për një nga ish-bashkëpunëtorët e tij të mëparshëm, i njohur tashmë si Dëshmitari X.
– Më 15 maj, gjatë paradites, përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u paraqitën në zyrat e Partisë Demokratike dhe morën video-registrimin.
– Më 16 maj, kur ende as Ministri Xhafaj dhe as Kryeministri Rama nuk kishin reaguar për këtë denoncim të opozitës, Agron Xhafaj deklaroi publikisht se do t’i dorëzohet policisë italiane për të kryer dënimin e marrë në vitin 2012 nga gjykata italiane.
Po ashtu, Agron Xhafaj tha se audio-përgjimi i PD-së është i sajuar dhe ngriti padi ndaj deputetëve të opozitës që e bënë atë publik.
– Pak orë pas letrës publike të Xhafajt, reagoi dhe kryeministri Rama, me anë të një konference për shtyp. Në orën 11:14 të 16 majit, dy ditë pas publikimit të audio-përgjimit nga PD, Kryeministri Rama tha se ministri Xhafaj nuk ka asnjë përgjegjësi, as morale e as ligjore për veprimet e vëllait të tij.
Po ashtu, Rama tha se e ka dërguar audio-përgjimin për ekspertizë në “një prej laboratorëve më të mirë në botë”, dhe se ka marrë mbrapsh rezultatet se audio-përgjimi është “material jo autotenik që synon destabilizimin e vendit.”
– Mbasditen e 16 majit reagoi për herë të parë ministri Fatmir Xhafaj. Në një konferencë për shtyp, ai deklaroi se ka vendosur të qëndrojë në postin e Ministrit të Brendshëm dhe të mos japë dorëheqjen. Zoti Xhafaj, vendimin e tij për të mos u dorëhequr e justifikoi sot me pohimin se ai nuk ka shkelur asnjë ligj dhe akuzoi opozitën se po hedh baltë për shkak të detyrës.
– Më 17 maj, në orën 11:30, Partia Demokratike bëri të njohur identitetin e vërtetë të Dëshmitarit X që fliste me Agron Xhafajn në audio-përgjim. Ai është Albert Veliu, 51 vjeç, banor në Vlorë. Veliu pranoi se ka punuar me Agron Xhafajn, në të njëjtën bandë që shpërndante kokainë. Albert Veliu gjithashtu pranoi vërtetësinë e audio-përgjimit dhe deklaroi se personi më të cilin ai flet është Agron Xhafaj. Veliu tha se pas bërjes publike të audio-përgjimit familja e tij është kërcënuar nga zyrtarë të lartë të policisë në Vlorë.
– Më 18 maj, Albert Veliu u mor në pyetje për rreth 6 orë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Atij ju mor dhe një regjistrim zëri, që do të shërbejë si provë krahasuese gjatë verifikimit të audio-përgjimit.
– Po më 18 maj, në mesditë, kryeministri Rama refuzoi të jepte detaje se cila agjneci e huaj ka bërë ekspertizën e audio-përgjimit, dhe se si Kryeministri e ka marrë materialin original të përgjimit. Gjatë një konferencë për shtyp me gazetarët, Zoti Rama u duk i nervozuar nga pyetjet lidhur me çështjen Xhafaj, aq sa sulmoi dhe gazetaren Ambrozia Meta që e pyeti nëse në PS ka njerëz “që nuk ka vëlla apo kushëri të lidhur me drogës që të mund të drejtojë Ministrinë e Brendshme”.
– Më 19 maj, gazetari investigativ Jetmir Olldashi mori përsipër se është ai përsoni që ka bërë përgjimin e bisedës mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt, si pjesë e një investigimi për bandat e drogës në qytetin e Vlorës.
Jetmir Olldashi, njësoj si Albert Veliu u shpreh se në përgjim është pikërisht Agron Xhafaj ai që flet, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e Kryeministrit Rama se përgjimi është i sajuar. Gazetari Olldashi njoftoi po ashtu se investigimi i plotë i bërë prej tij për bandat në Vlorë do të bëhet publik shumë shpejtë.
– Sot më 21 maj, dy deputetët e PD Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe këshilltari ligjor Gazmend Bardhi po japin deklaratën e tyre në prokurori, pas padisë ngritur nga Agron Xhafaj për mosvërtetësinë e audio-përgjimit.