Pavarësisht vendimit që do të marrë sot Këshilli i Mandateve për pranimin e kërkesës së Prokurorisë për lejimin e arrestimit të Saimir Tahirit, hetimet për përfshirjen e Zotit Tahiri në çështjen Habilaj do të vazhdojnë.
Me heqjen e imunitetit të deputetëve, nuk nevojitet më autorizim nga Kuvendi për vazhdimin e hetimeve të deputetëve nga prokuroria, por vetëm për arrestimin e tyre.
Me votimin e ligjeve shoqëruese të reformës në drejtësi, duhet të ishte Prokuroria e Posaçme ajo që do të hetonte të gjithë rastet e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë. Të gjitha këto kritere përmbushen nga ish-ministri Tahiri: ai akuzohet nga prokuroria për veprat penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal dhe “korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.
Por duke qenë se ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, në Nenin 4 parashikon se prokurorët e posaçëm duhet të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organ që ende nuk ka filluar punën, çështja e zotit Tahiri do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.