Në ditën e pestë të qendresës, qytetarëve në çadër i janë bashkuar dhe naftëtarët e Fierit, Ballshit e Patosit. Këta të fundit prej disa muajsh protestojnë pasi nuk janë paguar, por asnjë institucion deri më tani nuk i ka dhënë përgjigje shqetësimit të tyre.
Sipas naftëtarëve, janë më shumë se 800 punëtorë, familjet e së cilëve nuk kanë burime të tjera të ardhurash, përveç rrogave nga rafineria.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në çadër me naftëtarët, tha se qeveria Rama e ka braktisur punën e mundin e tyre, edhe pse nafta është një prej pasurive të vendit me të ardhura të mëdha.
“Qindra milionë dollar që nxirren nga nafta shqiptare nuk shkojnë për rrogat e naftëtarëve, për shkollimin e fëmijëve të tyre, […] por në duart e hajdutëve të korruptuar.”
Zoti Basha përsëriti vendosshmërinë e opozitës dhe mbështetësve të saj për të vazhduar protestën deri në plotësimin e kushtit të tyre: krijimin e qeverisë teknike për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.
Ai deklaroi se deputetët e opozitës nuk do të kthehen në parlament deri sa kryeministri Rama të reflektojë për kërkesat e protestuesve. Zoti Basha tha se vendi i deputetëve është krah qytetarëve që kërkojnë zgjedhje të lira, e për sa kohë qytetarët janë në shesh, deputetët nuk mund të jenë në parlament.
Gjatë mbrëmjes së sotme në çadër do të këtë sërish diskutime mes deputetëve, gazetarëve e figurave të tjera të njohura që i janë bashkuar kauzës, e qytetarëve.
Po ashtu dhe grevistët e Zharrëzës janë nisur sot me këmbë drejt Tiranës, por nuk dihet ende nëse dhe ata do t’i bashkohen qytetarëve dhe deputetëve të opozitës në çadrën përpara kryeministrisë.