Dita e pestë e qëndresës, opozitës i bashkohen naftëtarët e Ballshit e Fierit

Dita e pestë e qëndresës, opozitës i bashkohen naftëtarët e Ballshit e Fierit

Në ditën e pestë të qendresës, qytetarëve në çadër i janë bashkuar dhe naftëtarët e Fierit, Ballshit e Patosit. Këta të fundit prej disa muajsh protestojnë pasi nuk janë paguar, por asnjë institucion deri më tani nuk i ka dhënë përgjigje shqetësimit të tyre.

Sipas naftëtarëve, janë më shumë se 800 punëtorë, familjet e së cilëve nuk kanë burime të tjera të ardhurash, përveç rrogave nga rafineria.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në çadër me naftëtarët, tha se qeveria Rama e ka braktisur punën e mundin e tyre, edhe pse nafta është një prej pasurive të vendit me të ardhura të mëdha.

“Qindra milionë dollar që nxirren nga nafta shqiptare nuk shkojnë për rrogat e naftëtarëve, për shkollimin e fëmijëve të tyre, […] por në duart e hajdutëve të korruptuar.”

Zoti Basha përsëriti vendosshmërinë e opozitës dhe mbështetësve të saj për të vazhduar protestën deri në plotësimin e kushtit të tyre: krijimin e qeverisë teknike për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.

Ai deklaroi se deputetët e opozitës nuk do të kthehen në parlament deri sa kryeministri Rama të reflektojë për kërkesat e protestuesve. Zoti Basha tha se vendi i deputetëve është krah qytetarëve që kërkojnë zgjedhje të lira, e për sa kohë qytetarët janë në shesh, deputetët nuk mund të jenë në parlament.

Gjatë mbrëmjes së sotme në çadër do të këtë sërish diskutime mes deputetëve, gazetarëve e figurave të tjera të njohura që i janë bashkuar kauzës, e qytetarëve.

Po ashtu dhe grevistët e Zharrëzës janë nisur sot me këmbë drejt Tiranës, por nuk dihet ende nëse dhe ata do t’i bashkohen qytetarëve dhe deputetëve të opozitës në çadrën përpara kryeministrisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>