Genci Kojdheli, Drejtori i Përgjithshëm për Projekteve Strategjike dhe Zhvillim Ekonomik në Bashkinë Tiranë, ka bërë thirrje publike për turpërimin dhe talljen publike të çdokujt që kritikon Stadiumin e ri Kombëtar.
Në një status në Facebook, Zoti Kojdheli shkruan:
#NewStadiumChallenge
Gjej dikë që ka sharë e kundërshtuar stadiumin e ri; bëji foto në stadium; çoja në privat me përkufizimin “hipokrit”; nëse të bën llafe, postoje në rrjetet sociale!
Kjo thirrje për të ngacmuar dhe turpëruar publikisht ata që mendojnë ndryshe, nga një punonjës i Bashkisë është një shembull i turpshëm i një përpjekje për të frikësuar ata që nuk pajtohen me veprimet e qeverisë dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Këto lloj taktikash të bullizmit përmes internetit, ku është shumë e lehtë të bëhen virale, janë përdorur gjerësisht nga regjimet shtypëse. Në Maltë u zbulua se partia në pushtet postonte në grupe sekrete në Facebook, foto të aktivistëve, gazetarëve dhe atyre që kundërshtonin qeverinë, me qëllim ngacmimin dhe turpërimin e tyre. Gazetarja e vrarë Daphne Caurana Galizia ishte shënjestruar shpesh në këto grupe, para vrasjes së saj në 2017.
Exit.al zbuloi kohët e fundit që qeveria shqiptare detyron nëpunësit e administratës publike të shpërndajnë propaganda e qeverisë nëpër llogaritë e tyrë në mediat sociale ose përndryshe rrezikojnë të humbasin vendin e punës. Po ashtu, janë krijuar qindra profile false, pak para zgjedhjeve të 30 qershorit, që shkruanin komente negative kundër kujtdo që kritikonte qeverinë dhe Bashkinë Tiranë.
Ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar ka qenë një teme shumë e debatuar pasi ish-stadiumi Qemal Stafa, monument kulture i mbrojtur me ligj, u shkatërrua në mënyrë të paligjshme. Më pas, një ndër kompanitë më të afërta të qeverisë Rama, AlbStar u shpall fituese pa garë për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri. Alb-Star ishte e vetmja që paraqiti ofertë për stadiumin me kullë të projektuar nga arkitekti i pëlqyer i Kryeministrit Rama, Marco Casamonti. Nuk pati asnjëherë konsultime me qytetarët edhe pse bëhej fjalë për Stadiumin Kombëtar.
Për projektin me kullë nuk pati transparencë rreth: kostos, fondeve, si do të ndahej prona, si do ta përballonte investimin kompania private.
Tre vite më vonë. Sërish asgjë nuk dihet për: sa është kostoja përfundimtare, shuma e fondeve të përdorura, si u siguruan ato, sa është sipërfaqja e pronës publike dhe asaj private.
Por dihet tashmë, që kulla 24-katëshe dhe pjesa më e madhe e stadiumit të ri kombëtar do të jenë pronë private e Alb-Starit.
E njëjta procedura aspak transparente u ndoq dhe për shitjen e emrit të stadiumit, tender i cili u fitua nga kompania e fluturimeve Air Albania.
Federata Shqiptare e Futbollit kishte vendosur si kusht për fitimin e tenderit që kompania fituese të kishte të paktën 10 milionë euro xhiro vjetore. Air Albania u themelua vitin kaluar dhe për 2018-ën nuk kishte të ardhura, madje ka raportuar humbje prej 100 mijë eurosh.
Nuk është e qartë se si kompania Air Albania, e formuar më 13 gusht të vitit 2018 – me aksioner 10 për qind AlbControl (shtetërore), 41 për qind MDN Investment dhe 49 për qind nga Turk Hava Yollari – i ka plotësuar kushtet dhe është shpallur fituese e tenderit.
Pavarësisht të gjitha këtyre, sipas drejtorit të Bashkisë Tiranë Kojdheli, çdo kush që kritikon stadiumin por e viziton atë sepse ka dëshirë të ndjekë një ndeshje futbolli, duhet të turpërohet publiksht.