Drejtori i Bashkisë Tiranë inkurajon talljen publike të kritikëve të stadiumit kombëtar

Drejtori i Bashkisë Tiranë inkurajon talljen publike të kritikëve të stadiumit kombëtar

Genci Kojdheli, Drejtori i Përgjithshëm për Projekteve Strategjike dhe Zhvillim Ekonomik në Bashkinë Tiranë, ka bërë thirrje publike për turpërimin dhe talljen publike të çdokujt që kritikon Stadiumin e ri Kombëtar.

Në një status në Facebook, Zoti Kojdheli shkruan:

#NewStadiumChallenge
Gjej dikë që ka sharë e kundërshtuar stadiumin e ri; bëji foto në stadium; çoja në privat me përkufizimin “hipokrit”; nëse të bën llafe, postoje në rrjetet sociale!

Kjo thirrje për të ngacmuar dhe turpëruar publikisht ata që mendojnë ndryshe, nga një punonjës i Bashkisë është një shembull i turpshëm i një përpjekje për të frikësuar ata që nuk pajtohen me veprimet e qeverisë dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Këto lloj taktikash të bullizmit përmes internetit, ku është shumë e lehtë të bëhen virale, janë përdorur gjerësisht nga regjimet shtypëse. Në Maltë u zbulua se partia në pushtet postonte në grupe sekrete në Facebook, foto të aktivistëve, gazetarëve dhe atyre që kundërshtonin qeverinë, me qëllim ngacmimin dhe turpërimin e tyre. Gazetarja e vrarë Daphne Caurana Galizia ishte shënjestruar shpesh në këto grupe, para vrasjes së saj në 2017.

Exit.al zbuloi kohët e fundit që qeveria shqiptare detyron nëpunësit e administratës publike të shpërndajnë propaganda e qeverisë nëpër llogaritë e tyrë në mediat sociale ose përndryshe rrezikojnë të humbasin vendin e punës. Po ashtu, janë krijuar qindra profile false, pak para zgjedhjeve të 30 qershorit, që shkruanin komente negative kundër kujtdo që kritikonte qeverinë dhe Bashkinë Tiranë.

Ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar ka qenë një teme shumë e debatuar pasi ish-stadiumi Qemal Stafa, monument kulture i mbrojtur me ligj, u shkatërrua në mënyrë të paligjshme. Më pas, një ndër kompanitë më të afërta të qeverisë Rama, AlbStar u shpall fituese pa garë për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri. Alb-Star ishte e vetmja që paraqiti ofertë për stadiumin me kullë të projektuar nga arkitekti i pëlqyer i Kryeministrit Rama, Marco Casamonti. Nuk pati asnjëherë konsultime me qytetarët edhe pse bëhej fjalë për Stadiumin Kombëtar.

LEXO  Tirana probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë

Për projektin me kullë nuk pati transparencë rreth: kostos, fondeve, si do të ndahej prona, si do ta përballonte investimin kompania private.

Tre vite më vonë. Sërish asgjë nuk dihet për: sa është kostoja përfundimtare, shuma e fondeve të përdorura, si u siguruan ato, sa është sipërfaqja e pronës publike dhe asaj private.

Por dihet tashmë, që kulla 24-katëshe dhe pjesa më e madhe e stadiumit të ri kombëtar do të jenë pronë private e Alb-Starit.

E njëjta procedura aspak transparente u ndoq dhe për shitjen e emrit të stadiumit, tender i cili u fitua nga kompania e fluturimeve Air Albania.

Federata Shqiptare e Futbollit kishte vendosur si kusht për fitimin e tenderit që kompania fituese të kishte të paktën 10 milionë euro xhiro vjetore. Air Albania u themelua vitin kaluar dhe për 2018-ën nuk kishte të ardhura, madje ka raportuar humbje prej 100 mijë eurosh.

Nuk është e qartë se si kompania Air Albania, e formuar më 13 gusht të vitit 2018 – me aksioner 10 për qind AlbControl (shtetërore), 41 për qind MDN Investment dhe 49 për qind nga Turk Hava Yollari – i ka plotësuar kushtet dhe është shpallur fituese e tenderit.

Pavarësisht të gjitha këtyre, sipas drejtorit të Bashkisë Tiranë Kojdheli, çdo kush që kritikon stadiumin por e viziton atë sepse ka dëshirë të ndjekë një ndeshje futbolli, duhet të turpërohet publiksht.

Lajme te ngjashme