Karakteri dhe identiteti i dikurshëm i Tiranës do të humbasë, duke u zëvendësuar apo plotësuar me vizionin dhe shijet e Kryeministrit Edi Rama për qendrën e Tiranës. Për të plotësuar vizionin e Kryeministrit po punon Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili nuk lë rast pa treguar se sa mirë po ia plotëson meraqet e mbetura peng nga koha e Bashkisë kryeministrit Rama.
Në emisonin Opionin të Blendi Fevziut, Erion Veliaj kur po flitej për prishjen e Teatrit Kombëtar, u shpreh:
“Një nga meraqet e tij dhe një nga brengat e tij [Ramës] ishte pse nuk mori udhë çështja e Teatrit Kombëtar. […] Kisha unë disa meraqe të mia […], kishte ai disa meraqe të vetat, gjëra të papërfunduara si unaza e vogël, sheshi Skënderbej.”
Po kështu, gjatë prezantimit të projektit të ri të piramidës javën e kaluar, Erion Veliaj u shpreh se “piramida është ikona e kryeqyetit, vlerat e të cilës i kuptuam vetëm pas vizionit të Edi Ramës”.
“Ndërtesa që tashmë qendron, që është pjesë ikonë e qytetit që i ka themelet, [..] kështu që falenderoj Edin për atë punë atëhere dhe për vizionin se kjo pronë ndoshta në vendin më të shtrenjtë të Tiranës mund të kishte këtë dobi që shumë kush nuk e shihte në atë kohë.”
Po njësoj, në 2015-ën gjatë inagurimit të sheshit Skenderbej, Erion Veliaj u shpreh se:
“Dua të falenderoj një mik të mirë, njeriun që transformoi Tiranën dhe që pati i pari vizionin për transformimin e Sheshit Skënderbej, që besoi tek ky projekt dhe e ndoqi atë me një pasion e energji që u kthye në burim frymëzimi për të gjithë ne. Tirana, shqiptarët nuk do të kishin sot një shesh kaq të bukur pa mbështetjen, pa idetë, dhe pa vizionin e Edi Ramës. Tirana është me fat që ka sot Edi Ramën. Shqipëria është me fat që ka sot një kryeministër që po bën për çdo qytet në Shqipëri atë që bëri për Tiranën.”
Këto projekte për të cilat ka folur Erion Veliaj janë vetëm disa nga projektet e Edi Ramës të papërfunduara në vitin 2011, kur la Bashkinë Tiranë. Tani të njëjtat projekte po i sjell në jetë Erion Veliaj.
Po ashtu, megjithë miratimin e një masterplani të ri të hartuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, i cili u miratua më 4 prill nga Këshilli Kombëtar i Territorit, kryetari Erion Veliaj po vazhdon zbatimin e të ashtuquajturit “Plani francez”, i cili është rezultat i konkursit të parë për masterplanin e Tiranës të zhvilluar nga ish-Kryebashkiaku Edi Rama në vitin 2003.
Ky masterplan përmbante projekte të tilla si:
– Rindërtimi i Sheshit Skenderbej;
– 10 kulla — Kulla TID e projektuar nga 51N4Eu hap në vitin 2016, 4EverGreen nga Archea Architetti, Kulla Sytë e Tiranës, kulla pas Hotel Tirana International; kulla pas Sahatit, DownTown Tirana tek Këndi i Lojrave “7 Xhuxhat”, Garden Building në rrugën e Kavajës në vend të ish-Muzeut të Shkencave të Natyrës, dhe Kulla West- Residence në zonën e Bllokut, dhe kulla Bllok tek ish-bar Rovena në Bllok;
– Muzeu i Harmonisë Fetare, ose ndryshe i rikthyer në 2015 me emrin “Parku i Besimit” i cili deri më tani nuk është realizuar;
– Stacioni i Trenit: rindërtimi i stacionit të trenit dhe sheshit përpara tij;
– Unaza e re, punët për përfundimin e saj kanë nisur në vitin 2016 nën drejtim e kryebashkiakut Veliaj.