Eurodeputeti grek zgjidhet kryetar i komisionit për MSA-së me Shqipërinë

Eurodeputeti grek zgjidhet kryetar i komisionit për MSA-së me Shqipërinë

Europedeputeti grek Manolis Kefalojanis u zgjodh dje kryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

Ai vjen nga partia greke në pushtet Demokracia e Re dhe zëvendëson Monika Makovein nga Rumania. Kefalojanis mori votat unanime në komision.

Kefalojanis dhe deputeti Taulant Balla do të bashkëkryesojnë mbledhjet BE-Shqipëri për të vlerësuar përparimin e Shqipërsisë në integrimin evropian.

Kefalojanis u zgjodh për herë të dytë eurodeputet i Demokracisë së Re në zgjedhjet e këtij viti. Ai ka qenë anëtar i të njëjtit komitet dhe i atij BE-Turqi edhe në legjislaturën e shkuar. Më herët ai ka qenë ministër për Tregtinë Detare dhe anëtar i një komisioni special parlamentar për transparencën në Greqi.

Eurodeputeti Kefalojanis është hetuar nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF) dhe nga drejtësia greke që prej vitit 2017, ndër të tjera për dyshime se mund të ketë përfituar në mënyrë të paligjshme pjesë të pagave të asistentëve të tij. Skema e dyshuar është se Kefalojanis mund të ketë rënë dakord me asistentët, përpara se t’i punësonte, se do t’i paguante ata me rrogën që jep BE-ja, por ata do t’i kthenin mbrapsht atij personalisht një pjesë të rrogës në cash.

Një tjetër çështje lidhet me dyshimet se Kefalojanis mund të ketë punësuar asistentë me kombësi greke, të cilët jetonin në Greqi, por merrnin rrogat rregullisht pa shkuar fare në punë në Bruksel.

Parlamenti Evropian votoi kundër heqjes së imunitetit të tij, në tetor 2018, pas kërkesës së prokurorëve grekë. Nuk është e qartë nëse hetimet ndaj tij kanë ndalur, por deri në muajin shkurt 2019 OLAF vazhdonte hetimet.

Pas zgjedhjes, Kefalojanis raportohet se e vuri theksin te nevoja që Shqipëria “të përqafojë shtetin e së drejtës, marrëdhëniet e mira me fqinjët, ligjin ndërkombëtar, të drejtat e pakicave dhe, sigurisht, të pakicës etnike greke.”

Prioritetet e tij duket se përputhen kryesisht me shqetësimet e qeverisë greke.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>