Eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi do të vizitojë Tiranën më 16 janar. Axhenda zyrtare parashikon takime me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, përfaqësues të opozitës dhe një vizitë në vendet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Zoti Varhelyi do ta vizitojë Shqipërinë një ditë pas takimeve që do të zhvillojë më parë në Maqedoninë e Veriut.
Eurokomisioneri pritet t’u përcjellë zyrtarëve shqiptarë rezervat dhe kërkesat që ka Brukseli rreth procesit të integrimit në BE.
Në muajin tetor nuk pati dakordësi mes vendeve anëtare të BE-së për të nisur bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi u shty për këtë vit në fund të muajit mars.
Franca ka kërkuar ndryshimin e procedurave, ndërsa Holanda ka kërkuar rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përveç tyre në nëntor Bundestagu gjerman paraqiti 7 prioritete që Shqipëria duhet të kishte parasysh për të merituar hapjen e negociatave.
Prej tetorit Kryeministri Edi Rama fajëson BE-në për moshapjen e negociatave. Ai ka theksuar se vendi i ka përmbushur kushtet, por që bisedimet për anëtarësim nuk nisën prej skepticizmit dhe politikave të brendshme të BE-së. Zoti Rama është angazhuar kohët e fundit në krijimin e një minishengeni mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.