Analisti Fatos Lubonja, në një shkrim për gazetën Panorama, bën të një analizë të votës së 25 qershorit dhe thekson katër paradokse që vihen re:
Paradoksi i parë, sipas Lubonjës, është se si shpjegohet se PS, partia që ka qenë në pushtet për katër vite ka mundur të rrisë numrin e votave, edhe pse sipas të dhënave të Gallup, 56 për qind e e shqiptarëve duan të braktisin vendin? Shqipëria renditet e dyta në botë pas Sierra Leones, e cila ëshrë në mesin e një lufte civile, për numrin e lartë të qytetarëve që duan të largohen nga vendi.
“Po të dëgjoje fushatën elektorale të Edi Ramës, ky paradoks edhe do të mund të shpjegohej me thirrjen e tij për t’i braktisur partitë e vogla ‘shushunja’ me të cilat ai paska qenë i detyruar të (keq)qeverisë për shkak të sistemit klientelar dhe të korrupsionit që e mbiquajti ‘të tepsisë’,” shpjegon Fatos Lubonja.
Ky arsyetim na çon në paradoksin e dytë: si ka mundësi që megjithë fushatën e PS e PD kundër partive të vogla, dy prej tyre LSI e PDIU morën më shumë vota dhe numër deputetësh krahasuar me vitin 2013?
Paradoksi i tretë sipas Lubonjës është mosrritja e elektoratit opozitar të PD-së, megjithëse 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria e drejtuar nga Edi Rama.
“Një shpjegim mund të ishte fakti i të kaluarës së kësaj partie, fakti që edhe ajo ka qenë pjesë e të njëjtit sistem. Disa thonë se për këtë ka ndikuar edhe mosangazhimi i pd-istëve që Basha i përjashtoi nga listat, si dhe i atyre që menduan se ai do të bënte bashkëqeverisje me Ramën,” shpjegon analisti Lubonja.
Paradoksi i katërt vjen si rrjedhojë e paradoksit të tretë: si ka mundësi që një pjesë e shqiptarëve të zhgënjyer nga sistemi i PS e PD, nuk votuan as sa për të nxjerrë vetëm një deputet nga partitë e Blushit dhe Bojaxhiut, por dhanë më shumë vota për parti si PDIU apo Social Demokratja e Tom Doshit, që janë aleate të djeshme dhe të sotme të partisë në pushtet?
Shpjegimet e këtyre katër paradokseve sipas Lubonjës “nuk mund të konvergojnë veçse në një pikë: kemi të bëjmë me rritjen e agresivitetit të sistemit klientelar, korruptiv, të ndarjes së territorit në duar të fortësh – oligarkë apo të lidhur me paratë e drogës – që po i shndërron shqiptarët gjithnjë e më shumë – nga halli apo nga malli – në bashkëpunëtorë të këtij sistemi.”
“Rezultati i Libra-s dhe Sfida-s flet për rritjen e numrit të shqiptarëve që kanë zgjedhur bashkëpunimin me sistemin e oligarkisë dhe krimit, të ndarjes së territorit në duart e të fortëve, në dëm të numrit të shqiptarëve që duan ta refuzojnë atë.”
Në përfundim të shkrimit, analisti Lubonja shtron disa pyetje:
- A do të transformohen dot partitë opozitare si PD dhe LSI nga parti klientelare dhe oligarkësh, në parti që do të shkojnë vërtet te 56%-shi për t’i bërë rezistencë këtij rreziku?
- Apo protagonistët e tyre kryesorë do të kujdesen të ruajnë bizneset e interesat personale që kanë kuruar kur kanë qenë në pushet duke u shkrirë kësisoj gjithnjë e më shumë në ndërmarrjen e madhe monopoliste të Edi Ramës?
- A do t’u bashkohen ato, që nesër, atyre qytetarëve te Parku i Autobusëve të Tiranës që vetëm një javë pasi u mori votën Edi Rama ua rrethoi parkun e fëmijëve, sepse ia ka dhënë për ndërtim ndonjërit prej oligarkëve që i ka financuar fushatën, apo do të heshtin siç kanë bërë rëndom, sepse ky oligark ka mbushur dje edhe xhepat e tyre?
- A do t’u bashkohen atyre qytetarëve Blushi, Bojaxhiu dhe njerëzit e tyre në emër të një Shqipërie më të jetueshme për të gjithë, më të lirë dhe më demokratike apo do të struken nga taksidarët, policët, shantazhuesit, korruptuesit, votëblerësit dhe denigruesit e sistemit kriminal?