Gjykata Kushtetuese nuk ndryshoi asgjë dhe i kënaqi të gjithë

Nga Exit News
Gjykata Kushtetuese nuk ndryshoi asgjë dhe i kënaqi të gjithë

Çfarë ka vendosur Gjykata Kushtetuese?

Së pari, Gjykata vendosi të shfuqizojë ligjin që përcaktonte mënyrën se si do të ndërtohej ndërtesa e teatrit të ri në bashkëpunim me privatët. Pra, shfuqizoi ligjin që i jepte privatit tokë në shkëmbim të kostos së ndërtimit.

Ky ligj fillimisht caktonte kompaninë private që do të ndërtonte – kompaninë Fusha shpk, – por pas ndëryrjes së Presidentit Meta dhe kritikave nga BE, ligji u rishikua për ta zgjedhur kompaninë private me garë dhe jo direkt në ligj.

Ky vendim do të thotë se ndërtesa nuk mund të ndërtohet me partneritet publik-privat (PPP) në formën e përcaktuar në ligjin e shfuqizuar.

Efekti i kësaj pikë të vendimit është zero. Qeveria ka hequr tashmë dorë nga kjo formulë, edhe pse ligji ia lejonte, dhe ka vendosur ta ndërtojë teatrin me fonde publike.

Së dyti, Gjykata vendosi të shfuqizojë vendimin e Këshillit të Ministrave që e kaloi pronësinë e ndërtesës dhe tokës së Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashia e Tiranës.

Ky vendim e zhvesh menjëherë Bashkinë e Tiranës nga pronësia dhe rikthen si pronare Ministrinë e Kulturës.

Efekti krysor i këtij vendimi është ky: Çdo veprim i mëtejshëm mbi truallin duhet të kryhet nga Ministria e Kulturës, në cilësinë e pronares, dhe jo nga Bashkia e Tiranës.

Pra, nëse qeveria do të ndërtojë një teatër të ri, siç duket se ka vendosur, tenderin dhe kontraktimin e ndërtimit duhet ta bëjë ministria dhe jo bashkia.

Por një gjë është e qartë: si pronare e tokës, qeveria mund të bëjë çdo gjë që dëshiron mbi truallin.

Së treti, Gjykata vendosi të mos e shqyrtojë fare vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për të prishur ndërtesën e Teatrit.

Çështjet në Gjykatën Kushtetuese shqyrtohen në dy faza—filimisht duhet të vendosin të paktën pesë anëtarë të saj për ta shqyrtuar çështjen në seancë plenare, pastaj bëhet shqyrtimi në seancë plenare, ku vendoset me shumicë votash.

Duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese shqyrton vetëm nëse një ligj apo vendim ka shkelur apo jo Kushtetutën dhe jo nëse ai është i ligjshëm apo i paligjshëm nga ana administrative apo penale.

Prandaj, vendimi i Gjykatës nuk do të thotë se vendimi i Këshillit Bashkiak nuk është thyerje e ligjeve të vendit.

Ligjshmëria e vendimit të Këshillit Bashkiak shqyrtohet nga Gjykata Administrative.

Në përmbledhje, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë ndikim material mbi projektet e qeverisë.

Qeveria mund të ndërtojë një godinë të re të Teatrit me fonde publike, vetëm se kontraktori nuk do jetë bashkia Tiranë, por Ministria e Kulturës.

Efekti propagandistik i vendimit duket më i madh.

Të gjitha palët kanë shpallur fitoren, secila në mënyrën e vet—Bashkia Tiranë ka përshëndetur vendimin dhe ka deklaruar se tani duhet të vazhdojë pa ndërprerje projektin e ndërtimit; opozita ka përshëndetur vendimin dhe i ka bërë thirrje SPAK të hetojë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>