Gjyqtari i Gërcedit, Shkëlzen Selimi përballet sot me KPK-në

Gjyqtari i Gërcedit, Shkëlzen Selimi përballet sot me KPK-në

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.

Trupa gjykuese që do të zhvillojë seancën me të përbëhet nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.

Gjyqtari Selimi njihet si gjyqtari i një sërë dosjes të rëndësishme politike, si dosja e Gërdecit.

Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2004 kur Selimi ka bërë për herë të parë deklarimin e pasurisë, gjyqtari kishte pasuri në vlerën e 1,6 milion lekëve. Kjo pasuri konsistonte në një të katërtën e një apartamenti që familja e tij zotëronte, në Krujë, përfituar nga ligji i privatizimeve.

Në fund të vitit 2017, pasuria e gjyqtarit Selimi është 37 fishuar duke kapur vlerën e 58,5 milionë lekëve. Kështu, gjyqtari është bashkëpronar i një pike karburanti në Vlorë, të blerë për 250 mijë euro si dhe pronar i një apartamenti me sipërfaqe 155 metra katrorë me vlerë 85 mijë euro në Selitë të Tiranës. Gjyqtari Selimi ka deklaruar një makinë me vlerë 420 mijë lekë, 5,7 milionë lekë në bankë dhe 1,5 milionë lekë cash. Ai ka dhënë hua një shumë prej 5,6 milionë lekësh.

Në anën tjetër, të ardhurat familjare të gjyqtarit Shkëlzen Selimi për të gjithë periudhën e deklaruar 2003-2017 kapin vlerën e 69.4 milionë lekëve.

Analiza e të ardhurave dhe shpenzimeve tregon se gjyqtari Selimi nuk justifikon me burimet e deklaruara një vlerë prej 12.8 milionë lekësh në vitin 2013, pa llogaritur këtu shpenzimet jetike. Trendi negativ ka vazhduar edhe në vitin 2014, ku gjyqtari rezulton me mungesë burimesh në vlerën e rreth 640 mijë lekëve.

Në total, shuma e pajustifikuar për vitet 2013 dhe 2014 kap vlerën e 13.4 milionë lekëve.

Po ashtu, një ditë më parë, Top Channel bëri publik një raport të SHISH që përmban regjistrime që vërtetojnë lidhjen e gjyqtarit Selimi  me bandat kriminale të qytetit të Fierit, të cilat janë përfshirë në trafik ndërkombëtar të narkotikëve.

Nga dokumentet kuptohet që gjyqtari Shkëlzen Selimi, në vitit 2011 ka ndihmuar dhe bashkëpunuar për lirimin nga burgu të një të arrestuari, që ishte kapur në flagrancë me armë pa leje.

Gjyqtari Selimi është i shtati gjyqtar nga nëntë që ka Gjykata e Lartë, që përballet me KPK-në.

Deri më tani nga kjo gjykatë janë konfirmuar në detyrë Xhezair Zaganjori, Ardian Dvorani e Edmond Islamaj dhe janë shkarkuar nga detyra Admir Thanza, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>