Qeveria greke ka dorëzuar në parlament projektligjin për zgjerimin e kufirit perëndimor të ujërave të saj territoriale në Detin Jon në 12 milje detare raporton Reuters.
Projektligji parashikon zgjerimin në ujërat perëndimorë nga gjashtë që është aktualisht në 12 milje detare. Kjo nuk do të ndikojë në ujërat në Egje, pranë brigjeve jugore dhe lindore të Greqisë, ku Athina ka mosmarrëveshje me Turqinë.
Greqia dhe Italia kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje mbi kufijtë detarë që krijojnë një zonë ekonomike ekskluzive në Detin Jon, ndërsa Athina dhe Tirana ende nuk kanë rënë dakord për të gjitha detajet e kufirit të tyre detar dhe e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Greqia thotë se sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara 1982 mbi Ligjin e Detit ajo ka të drejtën për të ushtruar të drejtat e saj në pjesë të tjera të territorit të saj.
Kryeministri grek Qiriakos Mitsotaqis u takua me kryeministrin Edi Rama në Athinë të premten por tema e detit nuk u përmend në informacionet që u dhanë në media.
Turqia ka paralajmëruar se një zgjerim i ngjashëm në lindje nga Athina do të ishte një shkak për luftë.
Greqia dhe Turqia prej disa muajsh kanë shkëmbyer akuza dhe kërcënime për sa i përket konfliktit për ndërhyrjet e Turqisë në ujrat grekë.