Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpejguar arsyet e përplasjeve me Kryeministrin Rama dhe ka kërkuar ndjesë për gjuhën e ashpër që është përdorur mes Tiranës dhe Prishtinës.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, zoti Haradinaj ka treguar se gjatë dy viteve të qeverisjes së tij krijoi shumë armiq për shkak të pozicioneve që mbajti. Ai është shprehur i keqardhur për përplasjet që ka pasur mes Tiranës dhe Prishtinës kohët e fundit dhe ka kërkuar falje për gjuhën e përdorur. Por ka theksuar se pozicionet e mbajtura kishin si arsye interesat kombëtare.
“Gjithë shqiptarët, pavarësisht feve, krahinave, partive politike […] jemi një. Por, për interesa kombëtare nuk kam zgjedhje tjetër veçse pozicionimit. Dhe kur pozicionohem nuk e bëj për inat të njërit apo për hatër të tjetrit, sepse për interes kombëtar janë vrarë (vëllezërit e tij) Shkëlzeni, Luani dhe familja ime i ka kaluar ato që i ka përjetuar. Kur kam dalë kundër ndarjes (së Kosovës) dhe kundër idesë që (miniera) Trepça t’i mbetet Serbisë nuk mërzitem se kush hidhërohet. Aty është burimi i ndasive që kemi. U kërkojmë falje të gjithë shqiptarëve që i mërzisim tani me këtë gjuhë që përdoret”.
Pavarësisht kësaj ndjese, zoti Haradinaj nuk ka lënë pa kritikuar qeverinë shqiptare për faktin se nxiti pengesa ekonomike për Kosovën.
“Me dhimsben shqiptarët e Shqipërisë […] sepse ne kur i kemi vendosur taksë Serbisë është dashur që Shqipëria ta fitojë tregun në Kosovë. Kur Kosova iu hoq si treg Serbisë, në vend që Shqipëria ta merrte këtë treg… shqiptarët mes vete kanë vendosur taksë në rrugë, e cila është 42 euro për kamionë e 5 euro për makina. Pra, ne kemi vendosur bllokadë që mos me u lidh këto ekonomi.”
Në intervistë, Kryeministri i Kosovës tha indirekt se ndryshe nga qeveria e tij, e cila e respektoi opozitën, qeveria e Edi Ramës “nuk lejoi opozitën të rritej dhe të vinte te fitorja”.
Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, krijoi përplasje politike për qëndrimin e tij kundër idesë së ndarjes së Kosovës, ide e mbështetur nga Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Ai dha dorëheqjen më 19 korrik pasi u thirr për të dëshmuar në Gjykatën e Hagës.
Së fundmi përplasjet politike mes tij dhe Kryeministrit Rama u ashpërsuan pas nismës për minishengen ballkanik të ndërmarrë nga Rama-Vuçiç-Zaev, nismë e cila përjashtonte Kosovën për faktin se Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e saj.