Inagurohet Pazari i Ri

Nga Natan Haasnoot
Inagurohet Pazari i Ri

Pavarësisht se pjesa më e madhe e projekteve të rikualifikimit urban të qeverisë kanë përfunduar në shkatërrim, korrupsion dhe keqadministrim, kjo nuk do të thotë se projektet duhet të jenë të shëmtuar!

Sot, në Ditën e Verës, Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj inauguruan Pazarin e Ri, në zemër të Tiranës. Në aktivitet morën pjesë dhe Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi dhe Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni. Projekti u përfundua me disa muaj vonesë.

Po ashtu, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte përkrah kryeministrit Rama, në rolin e tij si koordinator i Partisë Socialiste për Tiranën. Edhe pse fushata elektorale nuk ka filluar ende, injorimi i ligjit është bërë tashmë diçka normale.

Që prillit 2015, pazari, i cili kishte një treg të mbuluar, disa vila italiane dhe blloqe pallatesh komuniste, ishte planifikuar të rikonstruktohej nga ish-kryebashkiaku Basha në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Ndryshimi i vetëm në projektin e zbatuar nga Qeveria Rama është lyerja e fasadave të pallateve.

Rikualifikimi i Pazarit të Ri na tregon se si mund të jetë një projekt i financuar dhe monitoruar në mënyrën e duhur. Tregu i peshkut është restauruar, ndërsa një treg i ri fruta-perimesh, i bërë me metal e xham, projektuar nga firma e preferuar e Kryeministrit Rama Atelier 4, është ndërtuar shumë mirë nga firma e ndërtimit Salillari. Çatia prej xhami mundëson një pamje të shkëlqyer të blloqeve komuniste të banimit përreth tregut. Fasadat e pallateve janë pikturuar me motive tradicionale shqiptare. Një pjesë e pazarit i është dedikuar zanatçinjve të produkteve artizanale, që me siguri do ta kthejë zonën në ndalesë për turistët.

Në fjalimin e tijgjatë përurimit, Kryeministri Rama ishte i kujdesshëm për të mos përmendur iniciatorin dhe financuesin kryesor të projektit, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, duke lënë të kuptohej se qeveria ka paguar nga buxheti i shtetit të gjithë shumën e nevojshme për projektin. Kryeministri Rama nuk la pa sulmuar opozitën dhe shprehu “lodhje” nga politika, Pra në total, aktiviteti ishte i denjë për fushatë elektorale!

Lapidari i Shyqyri Ishmit dhe Muhamet Gjolleshës “i rikonstruktuar”

I vetmi detaj që nuk ishte në sinkron me projektin e realizuar më së miri, ishte lapidari dedikuar dëshmorëve Shyqyri Ishmi dhe Muhamet Gjolleshës, krahët e të cilëve janë prerë dhe kollona që qëndronte nga pas është shkurtuar, në të njëjtën mënyrë që Qeveria Rama ka “restauruar” dhe lapidarë të tjerë.

Por kush ka kohë të shqetësohet për monumentet komuniste, kur heronjtë e vërtetë komunistë mund të emërohen ende ministra?!

Lapidari më parë

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>