Instituti i Kosovës për Politikat Europiane (EPIK) i ka kërkuar institucioneve të vendit të denoncojë veprimtarinë dezinformuese të Rusisë dhe Serbisë në Ballkanin Perëndimor.
Thirrja në në një deklaratë për shtypin erdhi të dielën, pasi Parlamenti Evropian botoi studimin “Identifikimi i Lajmeve të Rreme dhe Dezinformimi në Ballkanin Perëndimor dhe Identifikimi i Mënyrave Efektive për Luftimin e Tyre”.
Gjetjet e studimit të akademikëve anglezë EPIK i ka kategorizuar në tre: dezinformim mbi besueshmërinë e BE-së, për pandeminë COVID-19 dhe për manipulimin e rezultateve zgjedhore.
“Nga 74 fushatave dezinformuese të zbatuara në Ballkanin Perëndimor gjatë 2018-2020, më shumë se gjysma janë zbatuar nga Rusia dhe Serbia. Përderisa Kina dhe Turqia janë po ashtu aktive në rajon, asnjëra nga këto nuk posedojnë kapacitetet infrastrukturore të Rusisë për të shpërndarë dezinformatat dhe për të manipuluar opinionin publik në gjithë rajonin”, përcolli EPIK.
Ata theksuan se operacionet e Rusisë kanë për qëllim të shkatërrojnë kohezionin politik, ekonomik dhe ushtarak të vendeve të rajonit.
“Në këtë drejtim, Serbia shërben si trampolinë e Rusisë për fushatat dezinformuese në rajon. Një nga mënyrat më publike përmes cilës Rusia operon në rajon është agjencia shtetërore e lajmeve “Sputnik” me seli rajonale në Beograd. Sputnik në mënyrë pro-aktive lanson dezinformatat në gjithë rajonin që kanë për qëllim diskreditimin e BE-së dhe NATO-së”, pohon deklarata.
Organizata i bëri thirrje institucioneve të Kosovës të kërkojë bashkëpunimin e vendeve të rajonit dhe të BE-së për të ekspozuar veprimtarinë dezinformuese të Rusisë dhe Serbisë në rajon.