Koncesioni i Aeroporit të Kukësit u jepet dy kompanive pa ekspertizë dhe përvojë, pas njërës qendron Kastrati sha

Koncesioni i Aeroporit të Kukësit u jepet dy kompanive pa ekspertizë dhe përvojë, pas njërës qendron Kastrati sha

Qeveria miratoi dje kontratën për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe menaxhimit të Aeroportit të Kukësit, me bashkimin e kompanive Bami shpk dhe Global Technical Mechanics shpk. Në deklaratën e rastit, Ministrja Belinda Balluku pohoi se koncesioni do të zgjasë për një periudhë 35 vjeçare. Punimet për vënien në punë të Aeroportit të Kukësit parashikohet të zgjasin dy vjet.

As kontrata dhe asnjë ndonjë element i saj nuk janë bërë publike, dhe nuk dihet asnjë e dhënë tjetër e këtij koncesioni.

Ndërkohë, kompanitë Bami dhe Global Technical Mechanics janë kompani të panjohur për publikun.

Një hulumtim i Exit.al na ka çuar në konkluzionin se pas të paktën Gobal Technical Mechanics qendron kompania Kastrati shpk, që duket se është përfituesi i vërtetë i koncesionit.

Gara për koncesioni

Në fillim të vitit 2018, bashkimi i kompanive Kastrati sh.a. dhe T.M.D Systems LTD paraqitën në Ministrinë e Infrastrukturës një propozim të pakërkuar për marrjen me koncesion të rehabilitimit dhe operimit të Aeroportit të Kukësit, i ndërtuar në vitin 2006 me financim të sheikut të Emirateve të Bashkuara, Zayed bin Sultan Al Nahyan.

Më 11 korrik 2018, Këshilli i Ministrave pranoi propozimin e Kastratit dhe T.M.D Systems LTD, dhe hapi procedurën e konkurimit duke i dhënë Kastratit & TMD Systems një bonus prej 8 për qind të pikëve, si nismëtar dhe hartuesi i propozimit të paraqitur në ministri.

Bazuar në vendimin e KM-së për të pranuar propozimin, Ministria e Infrastrukturës hapi tenderin. Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte 20 dhjetori 2018. Në tender paraqiti ofertë vetëm konsorciumi Bami shpk dhe Global Technical Mechanics. Në mënyrë të habitshme, konsorciumi nismëtar dhe që kishte marrë edhe një bonus në konkurim Kastrati & TMD Systems nuk u paraqit fare në garë.

Automatikisht, pa konkurrencë dhe praktikisht pa garë, Bami shpk dhe Global Tecnical Mechanics u shpallën fitues të koncesionit. Asnjëra prej tyre nuk ka asnjë përvoje dhe ekspertizë në fushën e ndërtimit, operimit dhe menaxhimit të aeroporteve dhe të asnjë shërbimi tjetër të lidhur direkt apo indirekt me aeroportet.

Kjo do të thotë se konsorciumi nuk ka përmbushur kriterin kryesor teknik të ekspertizës dhe përvojës në fushën e shërbimit. Nuk dihet nëse këtë mangësi konsorciumi e ka plotësuar duke patur ndonjë marrëveshje nënkontraktore, por gjithsesi kjo gjë do të përbënte shkelje të rregullave të konkurimit. Exit.al ka mësuar se një nga kriteret kualifikuese të garës ka qenë që konkuresit duhet të kishin ekspertizë dhe përvojë në fushën e operimit dhe manaxhimit të aeroporteve, si dhe duhet të ishin të pajisur me licenca përkatëse nga autoritetet ndërkombëtare të aviacionit.

Kompanitë fituese

Kompanitë fituese janë pa ekspertizë apo përvojë ndërtim dhe operim aeroportesh.

Bami shpk është një kompani ndërtimi e krijuar në vitin 1999, me seli në Krujë në pronësi të Shkëlqim Bamit. Kompania nuk ka ekspertizë dhe asnjë përvojë të mëparshme në ndërtim aeroportesh.

Kompania ka patur një aktivitet modest deri në vitin 2012, pas të cilit aktiviteti i saj ka njohur rritje të ndjeshme thuajse i gjithë përmes kontratave publike kryesisht për shtrim dhe asfaltim rrugësh lokale. Gjatë kësaj periudhe të ardhurat vjetore të kompanisë janë luhatur nga 2-5 milionë euro. Kompani gjatë vitit 2017 ka gati dyfishuar fitimet krahasuar me vitin 2016, dhe disa fishuar në krahasim me vitet e mëparshme.

Global Technical Mechanics është një kompani e re, e krijuar në 2017 me objekt kontrollin, shitjen dhe blerjen e mjeteve motorrike dhe pjesëve të këmbimit të tyre; transport rrugor ndërkombëtarë; tek shërbimeve dhe ndërtime në fushën e aviacionit civil dhe në fund konsulencat financiare dhe fiskale.

Sidoqoftë, kompania nuk ka zhvilluar ansjë aktivitet dhe nuk ka asnjë përvojë në fushat që janë deklaruar si objekt i saj—aktiviteti i parë i kësaj kompanie është koncesioni i Aeroportit të Kukësit.

Pronari i vetëm i Global Technical Mechanics është Ridgers Mema, 26 vjeç. Exit.al ka mësuar se Ridgers Mema është faktikisht punonjës i Grupit Kastrati.

Formalisht Mema është gjithashtu aksioner në tre shoqëri të tjera të prodhimit dhe eksport-importit të naftës dhe nënprodukteve të saj. Në dy prej këtyre kompanive, ka qenë aksioner dhe i ka shitur aksionet Ridgers Memës, kompania Kastrati ose kjo e fundit është anëtare e këshillit mbikqyrës.

Konkretisht, Mema është aksioner në kompaninë Al Global Oil, e themeluar në vitin 2016, me objekt importin dhe eksportin e hidrokarbureve, të karburanteve, naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre. Kjo kompani ka blerë rafinerinë e bitumit të ARMOS në Fier.

Al Global Oil ka qënë në pronësi të Frident Kuqit dhe Shefqet Kastratit, të cilët në vitin 2017, transferuan 100 për qind të kuotave tek Ridgers Mema, Qazim Qazimi dhe Aurel Baka. Në qershor 2018, Aurel Baka i ka shitur aksionet e tij, 33 përqind, tek Ridgers Mema, i cili u bë aksioneri kryesor i kompanisë me 66 për qind të aksioneve.

Deri në dhjetor 2018, anëtarë të Bordit Mbikqyrës të kompanisë kanë qenë Shefqet, Musa dhe Leonard Kastrati.

Mema është gjithashtu aksioner në kompaninë Ak Trade International Oil, e themeluar në vitin 2014, me objekt import-eksport dhe shitje me shumicë. Ridgers Mema është aksioneri kryesor me 67 përqind të aksioneve dhe administrator i kompanisë. Në Këshillin Mbikqyrës të kompanisë kanë qenë anëtarë nga viti 2014 deri në vitin 2017 Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste, dhe Shefqet Kastrati.

Të gjitha faktet e mësiperme të çojnë në përfundimin që në fakt Ridgers Mema dhe kompania Global Mechanics është thjesht një mburojë për Grupin Kastrati, që duket se është një nga dy koncesionarët faktikë të Aeroportit të Kukësit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>