Deputeti Ben Blushi dhe Kryeministri Rama debatuan sot në Kuvend për partneritetet publike private (PPP) në shëndetësi.
Deputeti Blushi akuzoi Kryeministrin Rama si të paaftë për të drejtuar ekonominë e vendit dhe e akuzoi atë për klientelizëm e mungesë transparencë në dhënien e koncesioneve.
Duke akuzuar qeverinë për shërbime skandaloze në shëndetësi, Zoti Blushi deklaroi se :
Po përgatiten të japin me koncesion laboratorët publikë. E dini se sa është fatura? Tetë milionë euro në vit. A mund të jepen të gjithë laboratorët publikë me koncesion?! […] Është absurde!
Kryeministri Rama ironizoi deputetin Blushi duke e quajtur “shakaxhi që mendon se ekonomia rritet duke treguar përralla” dhe deklaroi vendosshmërinë e tij për të vazhduar me dhënien e partneriteteve të tjera publike-private.
Ne do të bëjmë PPP për të gjitha shërbimet dhe as nuk do të humbasim më kohë për t’i mbushur mendjen që atyre që shqiptarëve i duan të pandriçuar për këtë çështje.
Për koncesionet në shëndetësi Kryeministri Rama tha se shqetësimet e ngritura nga deputeti Blushi për radhët e gjata janë të pavërteta.
Radhën e koncesioneve në shëndetësi tregojeni sa të doni, nuk ju beson asnjë. E vërteta është që qytetarët marrin shërbime shumë më cilësore dhe nuk paguajnë asnjë qindarkë.
Pas debatit me deputetin Blushi, Zoti Rama është larguar nga seance parlamentare.