Videoprojekti i hekurudhës Tiranë – Durrës, prezantuar nga kryeministri Rama, dyshohet te jetë plagjaturë e një projekti të Qatar Reilway, postuar në kanalin Youtube 4 vjet më parë.
Qatar Reilway është kompania që po mbikëqyr ndërtimin e rrjetit hekurudhor të integruar të Katarit deri në vitin 2030.
Plagjatura është konstatuar mbrëmjen e së hënës nga aktivist dhe gazetar, të cilët e kanë ndarë në rrjetet sociale.
” …dhe me hekurudhën e re Tiranë-Rinas-Durrës, që më në fund do të nisë nga ndërtimi pas finalizimit të një pune disavjeçare me Komisionin Europian dhe Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim, ju uroj një javë të mbarë“, shkruajti Rama për projektin në rrjetin Facebook.
Ky është rasti i fundit i një zinxhiri projektesh të qeverisë Rama, të cilat zbulohen se janë plagjarizim i projekteve të ngjashme në vende të tjera.
Vetëm para dy javësh, pas publikimit të logos së re të Teatri të Operas dhe Baletit, pati sërish reagim në media e mes artistësh, për shkak të logos së kopjuar.
Logoja e plagjarizuar dyshohej se ishte blerë online për një çmim të papërfillshëm, ndërkohë që, për krijimin e saj, ishin paguar 1.8 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, në nëntor të 2018, bëri bujë lajmi se projekti 3D i Aeroportit të Kuksit, prezantuar nga Rama, ishte kopje e projektit të firmës hollandeze UNStudio për terminalin e Aeroportit Ndërkombëtar të Kutaisit në Gjeorgji.
Një vit më parë, kryetari i bashkisë Erion Veliaj, tentoi të shiste një foto të Institutit të Artit Bashkëkohor në Boston si foton e projektit të kampusit të ri Universitar.
Veliaj shkruante se kishte nisur puna për kampusin e ri Universitar, pavarësisht se nuk kishte asgjë publike mbi projektin, arkitektët dhe tenderat.
Pak më parë Veliaj ishte ekspozuar nga gazetarja e Exit News, Alice Taylor, për kopjimin e një videoje të titulluar “Çfarë është Tirana për ty” me rastin e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet. Ajo kishte ngjashmëri të jashtëzakonshme me këngën “What is London to you” publikuar nga Zyra e Kryetarit të Bashkisë Londër në 2018.
Me rastin e 100 vjetorit, Bashkia gjithashtu ndërmori një nismë artistike, duke ndryshuar shumë nga shenjat rrugore në zonën qendrore të Bllokut.
Ato ishin kopje besnike e veprave të artistit të famshëm Clet Abraham, i njohur ndryshe si ‘Le Clet’, i cili jeton dhe punon në Firence, Itali.
“Fatkeqësisht ne nuk dinim gjë mbi “këtë” surprizë” në Tiranë. Menduam se Bashkia do të kishte pak më tepër respekt për të drejtat e autorit. ”
Projekte të plagjarizuara që meritojnë të nderohen duke u përmenduar janë:
– projekti i Teatrit Kombëtar, nga Bjarke Ingels, rezultoi që ishte plagjiaturë e projektit të studios ukrainase “Forma” për Operan e Busanit në Korenë e Jugut, projekt që kishte fituar çmimin e tretë në konkurs duke u skualifikuar;
– plani për emërtimin e avionëve të linjës Air Albania sipas poetëve kombëtar, e cila e kishte origjinën nga kompania norvegjeze, Norwegian Air Shuttle.