Kujt i intereson përçarja e protestës së studentëve

Nga Genti Shehu
Kujt i intereson përçarja e protestës së studentëve

Nisja e protestës së  studentëve duket deri tani se qe spontane. Nuk është ende e qartë pse papritmas u ngrit kaq fort pas zbulimit të një VKM-je të disa muajve më parë për tarifën e mbartjes së provimeve. Zëra në turmë të bëjnë të mos jesh naiv për nisjen e protestës dhe ta kontekstualizosh atë në politikën e javëve të fundit. Ftohtësia në të logjikuarit e kësaj të bën t’i japësh vesh mundësisë dhe zërave që qarkullojnë se protesta mund të jetë kurdisur nga forumet e FRESSH-it, në bashkëpunim me Organizatën Politike, me idenë që të tërhiqnin vëmendjen nga Astiri, përmes një proteste pa themele të forta, jopolitike, po fort joshëse, pasi do të ishte “studentore”.

Deri këtu letrat duken në rregull: Organizata Politike ka luftuar reformën në arsim të qeverisë Rama që në fillimet e saj. Anëtarët e saj janë të artikuluar politikisht shumë mirë në ekstremin e tyre të majtë. Ata janë plotësisht të aftë të bëjnë kërkesa politike për rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë dhe të Ramës. Megjithatë, ndërkohë që e cekin kalimthi natyrën politike të protestës, çuditërisht Organizata Politike nuk e ka shprehur këtë aspekt të protestës me forcën që i karakterizon deklaratat e saj; nuk e ka shprehur dhe përforcuar këtë aspekt atje në rrugë, mes studentëve, në fjalimet që anëtarët e OP-së mbajnë përpara protestuesve. Pra, në fakt, OP-ja këto ditë ka qenë me tepër për një protestë “jopolitike”, sesa një protestë thellësisht politike, siç ia detyron edhe idiologjia e saj.

Opozita e bashkuar i ka përqendruar ndërkohë të gjitha forcat e saj tek Astiri, Shkoza etj. Qeveria deshi të shpërqendronte vëmendjen nga këto pika të nxehta protestash përmes një lëvizjeje “limonadë” të studentëve, të cilën mendoi se siç e ngriti, do ta shuante shpejt. Por qeveria nuk parashikoi hetimin e emisionit Të Paekspozuarit, që e nxori edhe më zbuluar korrupsionin e saj. Kjo e forcoi edhe më shumë besimin e njerëzve tek protestuesit, pasi u faktua vjedhja e pastër e 18 milionë eurove, gjë që prek cilindo qytetar në mënyrë shumë konkrete.

Opozitës së bashkuar do t’i interesonte në mënyrë të natyrshme një bashkim me studentët, por ajo që u pa ishte se individë të lidhur me Erion Veliajn i përzunë banorët e Astirit, kur ata iu bashkuan protestës studentore. Mes turmës së protestuesve janë parë edhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të Veliajt.

Pjesëmarrja e studentëve u rrit dita-ditës, ndërkohë që ata ndienë edhe nevojën për pjesëmarrje më të gjerë dhe më të larmishme nga shoqëria. Në rastin më të parë të demaskimit të qëllimit të mundshëm të Organizatës Politike, studentët ia ndalën fjalimet anëtarëve të OP-së, si dhe përpjekjeve të tyre për ta mbajtur protestën praktikisht “jopolitike, por ekonomike”. Ekonomikja e protestës, që janë tarifat, janë krejtësisht të lidhura me ligjin e Ramës për arsimin e lartë, prandaj edhe aspekti “ekonomik” i protestës nuk ka sesi të ndahet nga aspekti politik i saj. Nëse Rama nuk do ta kishte miratuar këtë ligjin, që u kundërshtua edhe nga pedagogë që ia parashikuan rezultatet, sot studentët nuk do të kishin arsye për të dalë në rrugë.

Partia Demokratike deklaron vazhdimisht se do t’i rrijë larg protestës së studentëve. Pas ndalimit të fjalimeve të anëtarëve të OP-së, këta kanë përforcuar zërin e tyre në media me deklarata dhe komente se anëtarë të PD-së i kanë sulmuar ata. Le ta lëmë mënjanë çudinë se përse paskan qenë vetëm anëtarët e PD-së, ndërkohë që opozita ka edhe parti të tjera. Krahas kësaj, ish-Mjaftistë, apo individë të lidhur me financime të Sorosit, papritmas kanë filluar të japin opinione në Facebook, për të legjitimuar qëndrimin e Organizatës Politike në protestën e studentëve, si dhe për të deligjitimuar të drejtën e të djathtëve për t’iu bashkuar protestës si të pakënaqur me situatën politike në vend.

Pyetja që lind natyrshëm, dhe ku mendoj se duhet përqendruar vëmendja për të kuptuar luhatjet brenda protestës, është kjo: A do t’i interesonte opozitës së bashkuar dhe PD-së që të shuante dhe të përçante një protestë studentore, që në fund të fundit dhe në thelb të artikulimit të kërkesave ka pikërisht atë që kërkon edhe vetë opozita? E thënë ndryshe: Kujt i çon ujë në mulli përçarja dhe shuarja e kësaj proteste?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>